Hajrizi: Shpresoj të tregojmë lojëra të mira dhe t’i arrijmë synimet tona

  • 18 February 2020 - 11:21
Hajrizi: Shpresoj të tregojmë lojëra të mira dhe t’i arrijmë synimet tona

Drilon Hajrizi shprehet optimist se Përfaqësuesja e Kosovës do të ketë eksperiencë pozitive në fazën parakualifikuese të Botërorit 2023

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll është grumbulluar dje nën drejtimin e trajnerit të ri, Christos Marmarinos.

Dhe, “Dardanët” dukeshin optimistë para dy ndeshjeve të shkurtit, në kuadër të fazës parakualifikuese të Botërorit 2023.

Verdhekaltrit do të luajnë më 20 shkurt me Islandën në Prishtinë, ndërsa pas tri ditësh e vizitojnë Luksemburgun.

Njëri prej basketbollistëve më të mirë kosovarë, Drilon Hajrizi beson se ai me shokë do të dalin mirë nga kjo eksperiencë.

“Kemi një ekip të mirë për të pasur suksese. Me punën që do ta bëjmë shpresoj shumë se do të tregojmë lojëra të mira dhe t’i arrijmë synimet tona”, ka thënë basketbollisti mitrovicas.

Kosova synon të kalojë në fazën kualifikuese të Botërorit.

Në Grupin B, krahas Kosovës, Islandës e Luksemburgut bën pjesë edhe Sllovakia.

(Kosova Sot Online)