FFK ngushëllon familjen dhe miqtë e Besnik Fejzullahut

  • 18 February 2020 - 13:55
FFK ngushëllon familjen dhe miqtë e Besnik Fejzullahut

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka lëshuar telegram ngushëllimi rreth vdekjes së Besnik Fejzullahut.

Ish futbollisti i viteve të 80-ta që ka luajtur për Flamurtarin, Ramiz Sadikun e Besëlidhjen ndërroi jetë dje, duke e lënë të pikëlluar familjen, miqtë dhe komunitetin e futbollit.

Në telegramin ngushëllues të FFK-së thuhet:

E nderuara familje Fejzullahu!

Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Besnik Fejzullahu, ndaj më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së dhe tërë komunitetit të futbollit të ju shprehim ngushëllimet tona më të thella dhe më të sinqerta.

Besniku ishte i njohur në komunitetin tonë si një ish-futbollist i shquar dhe si njeri i urtë. Ai e dha kontributin e tij ndër vite si futbollist në klubet e kryeqytetit Flamurtari, Besëlidhja dhe Ramiz Sadiku, duke lënë gjurmë të pashlyeshme, derisa ishte edhe njohës dhe analist i mirë i lojës së futbollit.

Familja humbi njeriun më të dashur, derisa komuniteti i futbollit humbi një veteranë të zellshëm të futbollit.

Prandaj, në këto momente të vështira për Ju, jemi pranë jush që të përballoni më lehtë dhembjen për më të dashurin tuaj.

I përhershëm qoftë kujtimi për të dhe i lehtë i qoftë dheu i Kosovës!

Me respekt

Agim Ademi, president i FFK-së.

(Kosova Sot Online)