Mourinho s’pret nga Son të luajë më këtë sezon

  • 18 February 2020 - 15:20
Mourinho s’pret nga Son të luajë më këtë sezon

Trajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho, thotë se ai nuk mund të llogaritë më në Son Heung-min për këtë sezon, pasi që sulmuesi korean e ka thyer krahun dhe s’pritet të rikuperohet në kohë për të luajtur para se të përfundojë sezoni 2019/20.

Klubi londinez bëri të ditur të martën se Son Heung-min do të bëhet operacion së shpejti, para se ta fillojë procesin e rikuperimit që do t’i zgjasë disa javë.

Koreani kishte qenë duke e mbuluar mungesën e Harry Kane për Tottenhamin, pasi që anglezi pësoi lëndim serioz në këmbë në muajin janar dhe s’ka mundur të luajë që nga atëherë.

Kane nuk pritet të kthehet në skuadrën e Tottenhamit deri në prill dhe Mourinho nuk arriti ta shtojë ndonjë sulmues tjetër gjatë afatit kalimtar të janarit.

Fitorja e së dielës me rezultat 3:2 kundër Aston Villas bëri që Tottenhami të mbetet vetëm katër pikë larg Chelsea në vend të katërt, mirëpo Mourinho do të duhet ta rimendojë strategjinë e tij për ndeshjen e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve kundër Leipzigut pasi që tashmë se ka Sonin në skuadër.

“Neve do të na mungojë ai shumë. Klubi e shkroi një deklaratë të këndshme. Nëse unë do të kisha qenë ai që e shkruan deklaratën, unë do ta kisha shkruar ndryshe. Na mungon ai”, ka thënë Mourinho.

“Nuk do të llogaris në të këtë sezon. Nëse ai luan në dy-tri ndeshje, atëherë kjo është vetëm për shkak se zyrtari për media është shumë optimist, mirëpo unë nuk po llogaris në të”.

“Situata nuk mund të kishte qenë më keq. Kjo është e qartë. S’mund të bëjmë asgjë. Ne do të luajmë me lojtarët që i kemi në dispozicion. Fillimisht shqetësova se s’kisha opsione në stol për sulm, por tani s’kam as në formacion të parë”.

“S’kam sulmues, s’ka afat kalimtar. Asgjë. E vetmja ndihmë për ne është turma jonë. Tifozët e Tottenhamit janë gjithçka që unë kërkoj sepse nuk mund të kërkoj më shumë nga lojtarët sesa që japin për momentin nga vetja”.

(Kosova Sot Online)