Reiner përlotet gjatë prezantimit të tij në Real Madrid

  • 18 February 2020 - 15:43
Reiner përlotet gjatë prezantimit të tij në Real Madrid

Real Madridi e prezantoi yllin brazilian Reinier, i cili mbetet transferimi i vetëm i madrilenëve gjatë afatit kalimtar të janarit. Sulmuesi tha se ëndrra e tij i është bërë realitet dhe se dëshiron të jetë pjesë e historisë së mrekullueshme të klubit spanjoll.

Reinier u prezantua të martën si lojtar i Real Madridit, edhe pse ishte kompletuar transferimi i tij më parë, pasi që ai ishte i zënë në Brazil dhe e kishte të pamundur t’u bashkohej Los Blancos.

“Jam duke e jetuar ëndrrën time të fëmijërisë, dua të jem pjesë e historisë së mrekullueshme të këtij klubi”, tha Reinier teksa i rrjedhnin lot nga sytë, gjatë prezantimit të tij si lojtar i Real Madridit.

Momentin kur përlotet mund ta shikoni në minutën e 17-të në videon e mëposhtme.

“Sot është një ditë shumë e madhe dhe e lumtur për mua. Hala Madrid”.

Pak momente pasi u prezantua para mediave, Reinier e veshi fanellën e famshme të bardhe për herë të parë dhe u mirëprit në fushë nga një grup i zgjedhur i tifozëve.

Presidenti i klubit, Florentino Perez, ka qenë i qartë në synimet e Real Madridit për t’i siguruar talentet më të mëdha të futbollit nga Amerika e Jugut para se ata të bëhen shumë të shtrenjtë dhe rezultati i fundit i këtij plani është pikërisht Reinier.

“Reinier, ti tashmë je lojtar i Real Madridit, ekipit që ti gjithmonë e ke zgjedhur në videolojëra, klubit të ëndrrave tua të fëmijërisë”, ka thënë Perez.

“Ne jemi duke e përjetuar një tjetër ditë të veçantë sepse një lojtar që na emocionon ka ardhur te ne. Edhe pse vetëm 18-vjeçar, ai tashmë e ka fituar trofeun e Copa Libertadores me njërin ndër klubet e mëdha të botës”.

“Ti je njëri ndër yjet më të mëdhenj të ri në botën e futbollit. Urime sepse sot po t’u realizohen shumë nga ëndrrat e tua në futboll dhe do të përballet me sfidat e mrekullueshme që i ke pritur gjatë gjithë jetës tënde”.

(Kosova Sot Online)