Suspendohet futbollisti që ia kafshoi penisin rivalit, dënohet edhe viktima e tij

  • 19 February 2020 - 13:26
Suspendohet futbollisti që ia kafshoi penisin rivalit, dënohet edhe viktima e tij

Një futbollist amator i një lige lokale në lindje të Francës është suspenduar për pesë vjet nga ndeshjet e futbollit pasi që ia kishte kafshuar penisin një kundërshtari të tij, gjatë një përleshjeje pas përfundimit të një ndeshjeje.

Incidenti ndodhi gjatë një ndeshjeje të kategorisë së dytë në një ligë lokale mes Terville dhe Soetrich më 17 nëntor të vitit të kaluar.

Sipas mediave lokale në Lorraine të Francës, futbollistët kishin filluar të përleshen, ndërsa një futbollist tjetër i Terville kishte ndërhyrë, duke tentuar t’i ndajë ata të dy. Futbollisti i Soetrichit kishte reaguar duke ia kafshuar penisit atij lojtari që ishte futur në mes për ta qetësuar gjendjen.

Viktima ishte trajtuar në spital dhe kishte pasur nevojë për dhjetë qepje në organin e tij gjenital, si dhe i kishte marrë katër ditë pushim nga puna.

“Incidenti ndodhi pas ndeshjes, në parkingun e stadiumit. Aty ndodhi një zënkë dhe më vonë gjërat u përkeqësuan”, tha Emmanuel Saling, zyrtar i ligës së futbollit në Mosellan.

Ai sqaroi se pasi që ky rast është kaq i rrallë, Komiteti Disiplinor u detyrua ta punësojë një ekspert, i cili sugjeroi se lojtari i Soetrichit duhet të suspendohet nga futbolli për pesë vjet, ndërsa viktima e tij u suspendua për gjashtë muaj. Komiteti Disiplinor vendosi ta dënojë edhe viktimën, pasi që, sipas tyre, të dy palët kishin kontribuar në përkeqësimin e situatës.

Ndeshja pas të cilës ndodhi incidenti përfundoi me barazim 1:1 dhe Terville i mori në atë ndeshje pikët e para të sezonit. Megjithatë, të dyja skuadrat janë dënuar me ulje pikësh dhe me gjobë prej 200 eurosh.

(Kosova Sot Online)