Drejtori i Man Cityt i reagon UEFA-s: Pretendimet për të cilat u dënuam s’janë të vërteta

  • 19 February 2020 - 15:02
Drejtori i Man Cityt i reagon UEFA-s: Pretendimet për të cilat u dënuam s’janë të vërteta

Drejtori ekzekutiv i Manchester Cityt, Ferran Soriano, i ka mbrojtur aktivitetet financiare të klubit të vet, pas dënimit nga UEFA me dy vjet pezullim nga garat evropiane dhe gjobë prej 30 milionë eurosh.

Manchester City u dënua më 14 shkurt nga UEFA me pezullim nga garat evropiane për dy sezonet e ardhshme, 2020/21 dhe 2021/22, si dhe u ndëshkua me 30 milionë euro gjobë, pasi që i shkeli rregullat e UEFA-s për ndershmëri financiare (FFP).

Dhoma Hetuese e UEFA-s gjeti dëshmi se klubi kishte gënjyer në raporte financiare për paratë e dhuruara nga sponsorët nga viti 2012 deri në vitin 2016, duke thënë se sponsorët kishin dhuruar më shumë para sesa që kishin dhuruar në të vërtetë vetëm sa për t’i mbuluar shpenzimet.

“Epo, gjëja më e rëndësishme që kam për ta thënë unë sot është se pretendimet nuk janë të vërtetë. Është kaq e thjeshtë, pretendimet nuk janë të vërteta”, ka thënë drejtori i klubit anglez.

“Pronari nuk ka futur para në klub që s’janë deklaruar në mënyrë të rregullt. Ne jemi një klub futbolli i qëndrueshëm, kemi përfitime, nuk kemi borxh, llogaritë tona janë kontrolluar sisa herë nga auditorë, rregullatorë, hetues dhe gjithçka ka qenë në rregull”.

Pas këtij dënimi, Guardiola e thirri një takim urgjent me skuadrën dhe stafin e Manchester Cityt të shtunën në qendrën stërvitore. Stërvitjet ishin planifikuar të nisnin në orën 15:00, mirëpo të gjitha shkuan më herët për ta mbajtur një takim, ku Guardiola ua parashtroi disa kërkesa lojtarëve të tij.

Strategu spanjoll u kërkoi lojtarëve të jenë sa më profesionistë dhe të përgjegjshëm gjatë dy javëve të ardhshme, të mos shkojnë nëpër evente publike, të mos bëjnë intervista dhe të përgatiten për ndeshjet e radhës. 

(Kosova Sot Online)