Zotohet Wilder: Do ta nokautoj Furyn dhe do ta kaloj legjendën Mohamed Ali

  • 19 February 2020 - 17:00
Zotohet Wilder: Do ta nokautoj Furyn dhe do ta kaloj legjendën Mohamed Ali

Deontay Wilder është zotuar se do ta kalojë legjendën dhe idhullin e vet, Mohamed Ali, duke e nokautuar Tyson Furyn për ta mbrojtur titullin e kampionit të botës në kategorinë e rëndë edhe një herë tjetër.

Boksieri amerikan u duk shumë i përqendruar në një ditë kaotike të martën në Las Vegas, ku kundërshtari i tij Fury mbërriti me një Ferrari për ceremoninë e mirëpritjes në prani të qindra tifozëve.

Derisa britaniku e përsëriti premtimin për rimeç me nokaut të shtunën mbrëma, 34-vjeçari Wilder synon ta kalojë rekordin e Mohamed Ali, i cili e kishte mbrojtur titullin në kategorinë e rëndë për herë të 10 radhazi.

“Do të jetë një ndjesi e mahnitshme kur ta mbroj titullin për herën e 11-të radhazi”, tha Wilder.

“Sapo ta mposhti Furyn me nokaut shkatërrues, do të shkoj edhe më larg duke thyer rekordin dhe duke bërë gjëra të mahnitshme”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online)