Manchester City e mund West Hamin, pas një jave të trazuar jashtë fushës

  • 19 February 2020 - 23:03
Manchester City e mund West Hamin, pas një jave të trazuar jashtë fushës

Manchester City është rikthyer te fitorja duke e mundur 2:0 West Ham Unitedin, pas një jave të trazuar jashtë fushës.

Në një ndeshje të shtyrë për 10 ditë për shkak të stuhisë “Ciara” dhe pesë ditë pasi mori pezullim dyvjeçar nga garat e UEFA-s, kampioni anglez e la futbollin të flasë me një paraqitje fantastike dhe dominuese.

Mesfushori Rodri e hapi serinë e golave pas gjysmë ore lojë, duke shënuar me kokë pas një harkimi nga Kevin de Bruyne prej korneri.

De Bruyne e dyfishoi epërsinë në minutën e 62-të, duke ia siguruar tri pikë të reja skuadrës së Pep Guardiolës.

City e përforcon pozitën e dytë me 54 pikë, pas 26 javëve, 14 më shumë se vendi i katërt, Chelsea dhe 15 më shumë se vendi i pestë, Tottenhami.

Por kampioni në fuqi ngel plot 22 pikë prapa liderit të pakapshëm, Liverpoolit, i dorëzuar tashmë në garë për ta mbrojtur titullin.

(Kosova Sot Online)