Messi e lartëson Ronaldon: Është sulmues grabitqar, normal që shënon shumë gola

  • 20 February 2020 - 09:46
Messi e lartëson Ronaldon: Është sulmues grabitqar, normal që shënon shumë gola

Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi, e ka lartësuar rivalin e vet, Cristiano Ronaldon, për aftësitë që i zotëron për shënimin e golave të shumtë, duke thënë se nuk është aspak i habitur me formën fantastike të portugezit para portës së fundmi.

Ylli i Juventusit Ronaldo ka shënuar në 11 ndeshje radhazi në Serie A, edhe pse këtë muaj i mbushi 35 vjet dhe i ka 24 gola deri tani këtë sezon në të gjitha garat.

Messi, ndërkohë, ka plot katër ndeshje pa shënuar gol por, megjithatë, ka kontribuuar me gjashtë asiste në tri ndeshjet e fundit për gjigantin katalonas.

Edhe pse të dy ata kanë qenë gjithmonë shumë frytdhënës para portës, Messi beson se Ronaldo e ka bërë fiksim shënimin e golave dhe argjentinasi nuk çuditet që portugezi po vazhdon të shkëlqejë brenda zonës.

“Është normale që ai po vazhdon të shënojë, ai është sulmues grabitqar, i pëlqen të shënojë dhe ai do të shënojë sa herë që luan”, tha Messi për Mundo Deportivo i pjetur për paraqitjet e fundit të Ronaldos.

“Ai ka shumë veti të mira si sulmues dhe është në gjendje të shënojë nga mundësia më e vogël”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online )