Messi: Neymar dëshiron të kthehet në Barcelonë

  • 20 February 2020 - 11:03
Messi: Neymar dëshiron të kthehet në Barcelonë

Lionel Messi ka konfirmuar se Neymar dëshiron të kthehet në Barcelonë, duke thënë se braziliani ka ndier keqardhje vazhdimisht që e braktisi gjigantin katalonas.

Neymar e braktisi Barçën për Paris Saint-Germanin për një shumë rekorde botërore, 222 milionë euro, në verën e vitit 2017, por për yllin brazilian vazhdon të përflitet se do të kthehet në Camp Nou.

Sulmuesi i PSG-së u përpoq ta gatisë kthimin në Barçë në fillim të sezonit, por transferimi i tij nuk u arrit, përkundër përpjekjeve të mëdha të klubit.

Messi, i cili nuk e fsheh aspak dëshirën për t’u ribashkuar me Neymarin, ka thënë për Mundo Deportivo: “E them shpesh herë, në nivel sporti, Ney është njëri prej më të mirëve në botë dhe do të më pëlqente kthimi i tij në klub”.

“Ai vërtet mezi pret të kthehet, sepse gjithmonë ka ndier keqardhje që është larguar. Ai bëri shumë për t’u kthyer dhe ky do të ishte hapi i parë për ta arritur këtë”, shtoi Messi.

(Kosova Sot Online)