Juventusi pendohet për mënyrën se si e kishte trajtuar Dybalan, i ofron rritje page

  • 21 February 2020 - 09:03
Juventusi pendohet për mënyrën se si e kishte trajtuar Dybalan, i ofron rritje page

Negociatat mes Juventusit dhe Paulo Dybalas për ta rinovuar kontratën e argjentinasit po vazhdojnë edhe më tutje. Mediumet italiane raportojnë se futbollisti do të shpërblehet për besnikërinë e tij me ngritje page.

Sipas gazetës italiane CalcioMercato, argjentinasi është i gatshëm të nënshkruajë kontratë të re dhe bardhezinjtë e kanë kuptuar se kishin bërë gabim që kishin qenë të gatshëm ta shesin atë verën e kaluar.

Paulo Dybala ishte përfolur gjatë gjithë verës së vitit 2019 për një transferim të mundshëm në Manchester United ose në Tottenham, mirëpo në fund ai vendosi të qëndronte në Torino.

Tani, Juventusi është penduar për mënyrën se si e kishte trajtuar argjentinasin gjatë verës dhe dëshiron ta shpërblejë me kontratë të re dhe ngritje page. Mediumet italiane raportojnë për pagë prej 10 milionë eurosh në sezon.

Argjentinasi ka qenë në formë mbresëlënëse gjatë këtij sezoni 2019/20, duke i shënuar 12 gola dhe 12 asiste në 31 ndeshje të zhvilluara.

Kontrata aktuale e ish-futbollistit të Palermos skadon në vitin 2022, ndërsa palët mund ta vazhdojnë atë edhe për dy apo tri vjet të tjerë.

(Kosova Sot Online )