Abidal sqarohet për zënkën me Messin: Kam mësuar nga ajo situatë

  • 21 February 2020 - 09:45
Abidal sqarohet për zënkën me Messin: Kam mësuar nga ajo situatë

Zënka e fundit e Eric Abidalit me Lionel Messin e shkaktoi një lloj krizë në Barcelonë, mirëpo drejtori sportiv i klubit katalonas thotë se ka mësuar nga situata e krijuar dhe tani e di se problemet e skuadrës nuk duhet të bëhen publike.

Spekulimet se Lionel Messi mund të largohet nga Barcelona në fund të këtij sezoni filluan pas një zënke publike mes argjentinasit dhe Eric Abidalit. Abidali kishte thënë se lojtarët s’punuan mjaftueshëm sa ishte Ernesto Valverde trajner dhe kjo e solli shkarkimin e trajnerit.

Kjo deklaratë e Abidalit s’i kishte pëlqyer aspak Messit, i cili reagoi në Instagram duke thënë se drejtuesit duhet të marrin vetë përgjegjësi për veprimet e tyre dhe se Abidali duhej të kishte përmendur emra e jo t’ua njolloste emrin të gjithë lojtarëve.

Intervista e Abidalit për Mundo Deportivon dhe reagimi i Messit kishin nxitur spekulimet se Messi do të largohej pa asnjë cent nga Barcelona këtë verë, pasi që një klauzolë në kontratën e tij që vlen deri në vitin 2021 ia mundëson argjentinasit të largohet çdo verë edhe pa dëshirën e klubit.

E gjitha kjo situatë e tensionuar ka bërë që drejtori sportiv Eric Abidal ta nxjerrë një mësim të madh dhe të mos i bëjë më publike problemet brenda skuadrës.

“Nëse kam marrë ndonjë mësim nga e gjitha kjo situatë, atëherë ai mësim është problemet e brendshme duhet të zgjidhen brenda klubit e jo përmes mediave”, tha Abidal, gjatë prezantimit të Martin Braithwaite si lojtar i Barcelonës.

“Nga ky moment, do ta shohim se çfarë do të ndodhë”

(Kosova Sot Online )