KOK, pas lajmit për vdekjen e Gëzim Kaçanikut: Humbje e madhe për të gjithë futbollin kosovar

  • 21 February 2020 - 10:45
KOK, pas lajmit për vdekjen e Gëzim Kaçanikut: Humbje e madhe për të gjithë futbollin kosovar

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, u ka shprehur ngushëllime të gjitha familjarëve të Gëzim Kaçanikut, pas lajmit për vdekjen e tij. Ai e ka cilësuar këtë si humbje të madhe për të gjithë komunitetin e futbollit në Kosovë.

Lajmin për vdekjen e Gëzim Kaçanikut e bëri të ditur klubi mitrovicas Trepça ’89. Presidenti i klubit, Abedin Zeka, njoftoi se ish-futbollisti i njohur nga Mitrovica ka ndërruar jetë dhe u shprehu ngushëllime të gjithë familjarëve dhe komunitetit sportiv mitrovicas.

Pas këtij lajmi ka reaguar edhe Komiteti Olimpik i Kosovës, që e ka cilësuar këtë si humbje të madhe për të gjithë komunitetin e futbollit në Kosovë, për shkak të kontributit që Kaçaniku e kishte dhënë si futbollist e trajner.

“Me dhimbje dhe pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Gëzim Kaçanikut (49-vjeç), ish-futbollist i mirënjohur dhe së fundi trajner në KF Trepça”, shkruhet në telegramin e Hasanit.

“I njohur me nofkën Kaqa, Gëzimi dha kontribut të madh për futbollin e Kosovës, fillimisht si futbollist në epokën më të vështirë të saj, atë që njihet si periudha e sakrificës dhe e mbijetesës, e më pas edhe si trajner i shquar në edukimin dhe zhvillimin e gjeneratave të reja të futbollit mitrovicas”.

“Prandaj, humbja e tij është e madhe jo vetëm për familjen dhe KF ‘Trepça’ e KF “Trepça’89”, klube në të cilat dha kontribut si futbollist e trajner, por për mbarë komunitetin e futbollit në Kosovë”.

“Në emër të Komitetit Olimpik të Kosovës dhe gjithë Lëvizjes Olimpike në Kosovë, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta, familjes së tij, Federatës së Futbollit të Kosovës, miqve dhe gjithë dashamirësve të sportit”. 

(Kosova Sot Online)