PSG-ja kërkon trajner të ri në Itali, interesohet për Sarrin dhe Allegrin

  • 21 February 2020 - 13:41
PSG-ja kërkon trajner të ri në Itali, interesohet për Sarrin dhe Allegrin

E ardhmja e Thomas Tuchelit si trajner i Paris Saint-Germainit është vënë në dyshim gjatë kohës së fundit. Tani, si kandidatë potencial për t’u emëruar në atë pozitë konsiderohen trajneri aktual i Juventusit, Maurizio Sarri, dhe paraardhësi i tij, Massimiliano Allegri.

Gazeta italiane Gazzetta dello Sport, Nicolo Schira, ka raportuar se Paris Saint-Germaini është duke e kërkuar në Itali një zëvendësues për pozitën e trajnerit në Parc des Princes.

Strategu gjerman, Thomas Tuchel, e ka pasur të vështirë ta dëshmojë veten në garat evropiane dhe humbja me rezultat 2:1 në ndeshjen e parë kundër Dortmundit në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve ia ka vënë në dyshim edhe më shumë të ardhmen në kryeqytetin francez.

Juventusi thuhet se po tenton ta sigurojë Pep Guardiolën e Manchester Cityt për sezonin e ardhshëm. Këto spekulime u intensifikuan pasi City u dënua me dy vjet pezullim nga garat evropiane – vendim ky të cilin klubi anglez do ta apelojë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.

Nëse Sarri do të jetë i lirë gjatë verës, atëherë Gazzetta dello Sport shkruan se për të mund të interesohet PSG-ja, ndërsa edhe paraardhësi i tij në Allianz, Massimiliano Allegri, është spekuluar për këtë pozitë.

Allegri ka qenë i papunësuar që nga fundi i sezonit të kaluar, kur i ndau rrugët me Juventusin dhe në vend të tij erdhi Sarri. Megjithatë, ai të enjten zbuloi se sezonin e ardhshëm do t’i kthehet karrierës si trajner.

Ai i mohoi spekulimet për postin e trajnerit të Paris Saint-Germainit dhe tha se ai nuk ka qenë në kontakt me gjigantin francez. Kjo deklaratë e tij s’i ka ndalur pretendimeve e mediave italiane dhe atyre franceze. 

(Kosova Sot Online)