Tuchel, aspak i lumtur me videot nga festa e yjeve të PSG-së

  • 22 February 2020 - 16:17
Tuchel, aspak i lumtur me videot nga festa e yjeve të PSG-së

Trajneri i Paris Saint-Germainit, Thomas Tuchel, e ka pranuar se ai ishte shumë i befasuar me videot që dolën online, ku shiheshin lojtarët e gjigantit francez duke festuar në orët e hershme të mëngjesit të së premtes.

Një numër i yjeve të ekipit të parë të Paris Saint-Germainit ishin të pranishëm në një festë të përbashkët për ditëlindjet e Edinson Cavanit, Mauro Icardit dhe Angel di Marias të enjten në Paris,.

Festa ekstravagante ishte mbajtur vetëm dy ditë pas disfatës së kampionit në fuqi të Francës me rezultat 2:1 kundër Borussia Dortmundit në ndeshjen e parë të  1/8 të finales së Ligës së Kampionëve.

Videot e publikuara në rrjete sociale i shfaqnin disa nga lojtarët kyç të skuadrës së Paris Saint-Germainit, përfshirë këtu Neymarin, duke vallëzuar gjysmë të zhveshur rreth dhomës ku po mbahej festa.

Pasi që PSG-ja do të zhvillojë ndeshje në Ligue 1 menjëherë të dielën, kundër Bordeaux, Tuchel i ka kritikuar lojtarët e tij për veprimet e tyre.

“Unë isha me të vërtetë i befasuar dje pasdite kur e shikova videon. Ju mund të jeni të sigurt se ne kemi mbajtur bisedime brenda klubit. Nuk dua të flas për këtë, por ne kemi folur për këtë gjë brenda klubit dhe duhet të mbetet ashtu, mes nesh”, ka thënë Tuchel.

“Ju mund të jeni të sigurt se ne nuk jemi të lumtur me ato video. Kemi folur bashkë si ekip dhe tani ky është problem që na takon neve. Unë jam këtu për ta përmirësuar grupin. Nuk mund t’i jap këshilla klubit, kjo nuk është detyra ime”.


(Kosova Sot Online)