Messi i jep fund krizës për gola, het-trik qysh në pjesën e parë kundër Eibarit

  • 22 February 2020 - 17:02
Messi i jep fund krizës për gola, het-trik qysh në pjesën e parë kundër Eibarit

Pasi s’kishte arritur të shënonte gol në katër ndeshjet e fundit të La Ligës, kapiteni i Barcelonës, Lionel Messi, arriti ta dëshmojë është ende ndër golashënuesit më të mirë në botë, duke shënuar het-trik qysh në pjesën e parë të ndeshjes kundër Eibarit.

Pas 45 minutave lojë në Camp Nou, Barcelona është duke shënuar fitore me rezultat 3:0 në ndeshjen kundër Eibarit, e cila është e vlefshme për xhiron e 25-të të La Ligës.

Këtë epërsi bindëse në pjesë të parë Barcelonës ia dha kapiteni i skuadrës, Lionel Messi, me golat e tij në minutat 14’, 37’ dhe 40’. Dy golat e para ishin të asistuara nga Arturo Vidal dhe Ivan Rakitic, ndërsa të tretën e krijoi vetë Messi.

Me këto tri gola Messi i dha fund ecurisë prej katër ndeshjeve pa shënuar gol në La Liga, gjatë të cilave megjithatë kishte kontribuar me disa asiste. Kjo ecuri kishte qenë më e dobëta për argjentinasin që nga sezoni 2013/14, kur kishte shkuar tetë ndeshje pa gol.

Barcelona e dominoi ndeshjen edhe sa i përket posedimit të topit në pjesën e parë (70% – 30%), si dhe duke i krijuar gjashtë raste të mira për të shënuar gola, përderisa Eibari nuk arriti ta rrezikojë seriozisht portën e katalonasve as edhe një herë. 


(Kosova Sot Online)