Messi ia shënoi katër gola, faqja zyrtare e Eibarit: Vuajmë nga ti, por të duartrokasim

  • 22 February 2020 - 21:57
Messi ia shënoi katër gola, faqja zyrtare e Eibarit: Vuajmë nga ti, por të duartrokasim

Përkundër që i pësoi katër gola sërish nga Lionel Messi, Eibari s’mund të rezistonte për ta shprehur mahnitjen nga kapiteni argjentinas i Barcelonës, për të cilin shkroi se s’ka opsion tjetër përpos ta duartrokasë.

Kapiteni i Barcelonës, Lionel Messi, i argëtoi tifozët e Barcelonës dhe ata të futbollit me paraqitjen dhe katër golat e tij në ndeshjen kundër Eibarit, të cilën Barcelona e fitoi me rezultat 5:0. Me këtë fitore, Barcelona u ngrit në pozitën e parë në tabelën e La Ligës, të paktën përkohësisht.

Barcelona e mori falë gjashtë-herë fituesit të Topit të Artë, Messit. Pasi s’kishte arritur të shënonte gol në katër ndeshjet e fundit të La Ligës, kapiteni i Barcelonës, Lionel Messi, arriti ta dëshmojë se është ende ndër golashënuesit më të mirë në botë, duke i shënuar katër gola në këtë ndeshje.

Me këto katër gola (14’, 37’. 40’ 87’) , Messi i dha fund ecurisë prej katër ndeshjeve pa shënuar gol në La Liga, gjatë të cilave megjithatë kishte kontribuar me disa asiste. Kjo ecuri kishte qenë më e dobëta për argjentinasin që nga sezoni 2013/14, kur kishte shkuar tetë ndeshje pa gol.

Për herë të fundit Messi i kishte shënuar katër gola pikërisht në një ndeshje kundër Eibarit, që është ndër viktimat e preferuara të argjentinasit sipas statistikave. E përkundër kësaj, Eibari e lavdëroi argjentinasin në një postim në faqen zyrtare në Twitter, pas ndeshjes.

“Ne vuajmë nga ti. Duhet të të durojmë. Duhet të të përballohemi me ty. Por, edhe s’kemi zgjedhje tjetër përpos të të ngrihemi në këmbë dhe të të duartrokasim”, ka shkruar faqja zyrtare e Eibarit, pas ndeshjes.


(Kosova Sot Online)