Milani dhe Fiorentina ndajnë pikët

  • 22 February 2020 - 22:58
Milani dhe Fiorentina ndajnë pikët

Milani u detyrua të mjaftohet me barazimin 1:1 kundër Fiorentinës në stadiumin Artemio Franchi, në ndeshjen e xhiros së 25-të të Serisë A. Fiorentina e mbylli ndeshjen me dhjetë lojtarë dhe shënoi nga penalltia në fund, ndërsa tifozët e Milanit u ankuan për golin e anuluar të Zlatan Ibrahimovicin.

Milani ishte nisur në këtë ndeshje me qëllimin për t’i marrë tri pikët e ndeshjes dhe për t’iu afruar Romës, në garën për vendet kualifikuese për edicionin e ardhshëm të Ligës së Evropës.

Skuadra e Stefano Piolit e nisi këtë ndeshje mirë, pasi që arriti ta dominojë pjesën e parë të ndeshjes me posedim të topit dhe e pati rastin më të mirë të 45 minutave të parë për të kaluar në epërsi.

Gjatë pjesës së parë, kuqezinjtë e arritën synimin për të kaluar në epërsi, pasi që Zlatan Ibrahimovici shënoi gol. Mirëpo, goli i suedezit u anulua për shkak të një prekjeje me dorë, përkundër ankesave nga tifozët pasi që Ibrahimovici fillimisht ishte shtyrë nga kundërshtari.

Megjithatë, pjesa e dytë, që nisi pa gola, ishte edhe më interesante sesa ajo e para. Milani kaloi në epërsi në minutën e 56-të, përmes golit të Ante Rebicit, ndërsa vetëm gjashtë minuta më vonë Fiorentina mbeti me dhjetë lojtarë në fushë për shkak të kartonit të kuq të Dalbertit.

Pesë minuta para fundit të kohës së rregullt të ndeshjes, ish-sulmuesi i Milanit, Patrick Cutrone, ia fitoi Fiorentinës një penallti, të cilën e konkretizoi në gol Erick Pulgar.

Tani, Milani radhitet në pozitën e shtatë me 36 pikë të fituara nga 25 ndehsjet e para, ndërsa Fiorentina është e 13-ta me 29 pikë të fituara.


(Kosova Sot Online)