Ramos i inatosur me gjyqtarin: E pyeta nëse ka problem personal me mua

  • 23 February 2020 - 09:42
Ramos i inatosur me gjyqtarin: E pyeta nëse ka problem personal me mua

Kapiteni i Real Madridit, Sergio Ramos, e ka kritikuar ashpër gjyqtarin Alejando Hernandez Hernandez, pas humbjes së skuadrës së vet 1:0 ndaj Levantes të shtunën në La Liga.

Lojtarët e Realit kërkuan penallti duke menduar se Jose Campana e kishte prekur topin me dorë në zonë, por Hernandez nuk dëgjoi dhe Ramos, i cili ishte ndëshkuar me karton të verdhë pas vetëm 10 minutave lojë, mendon se e tëra është personale. 

Si pasojë e kësaj humbjeje, Real Madridi tani ngel dy pikë prapa rivalit dhe liderit, Barcelonës, në prag të El Clasicos.

“Mua nuk më pëlqen të flas për gjyqtarët sepse ata mund të bëjnë gabime, por nganjëherë të bën të mendosh. Kriteret po dallojnë”, tha Ramos pas ndeshjes.

“Ata e dhanë një penallti kundër meje sepse e kisha prekur topin pavullnetshëm në Superkupën e Spanjës. Sot, ishin dy prekje të topit me dorë, asnjëra penallti”, shtoi ai.

“Jam i inatosur me Hernandez Hernandez. Dikur gjyqtarët kishin më shumë respekt dhe kapitenët mund të flisnin. E pyeta atë nëse kishte ndonjë problem personal me mua”, theksoi ai.

(Kosova Sot Online)