Ambasada e SHBA-së: Politika s’ka vend në sport, Ivic është frymëzim për të rinjtë në Kosovë

  • 23 February 2020 - 11:13
Ambasada e SHBA-së: Politika s’ka vend në sport, Ivic është frymëzim për të rinjtë në Kosovë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë e ka përshëndetur vendimin e futbollistit serb të Kosovës, Ilija Ivic, për ta përfaqësuar Kosovën në futbollin ndërkombëtar, duke e quajtur 17-vjeçarin frymëzim për të rinjtë në vend.

Ivic, nga Graçanica, qyteti kosovar i banuar kryesisht me serb, pritet të bëhet futbollisti i parë serb që e përfaqëson Kosovën në futbollin ndërkombëtar, pasi e ka pranuar ftesën ë ekipit kombëtar U19 të Kosovës.

Vendimi i futbollistit të talentuar të Flamurtarit ka ngjallur reagime të shumta dhe sidomos negative në Serbi. Prindërit e tij e kanë humbur vendin e punës në Graçanicë, si pasojë e presionit nga Beogradi. 

Nëna e tij, Tanja, madje është kërcënuar me vdekje.

Ambasada e SHBA-së në vend i ka bërë thirrje që ky moment, siç ka thënë, diversiteti të festohet, duke thënë se politika nuk ka vend në sport.

Në një reagim në rrjetet sociale, ambasada e ka quajtur Ivicën frymëzim për të rinjtë sesi të ndiqen ëndrrat.

“Urime Ilija Ivic! Ai është frymëzim për të gjithë të rinjtë në Kosovë për të punuar zellshëm, për ta zhvilluar talentin dhe për t’i ndjekur ëndrrat. Politika nuk ka vend në sport. Ky është një moment për ta festuar diversitetin dhe një atlet të ri e talentuar të Kosovës”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Ditë më parë, Ivic tregoi se te Flamurtari i Prishtinës është pritur mirë dhe ndihet si në shtëpi.

Ai mezi pret ta përfaqësojë Kombëtaren verdhekaltër në arenën ndërkombëtare. 

(Kosova Sot Online)