Ballkani e mund Ferizajn, Gjilani dhe Trepça ’89 shënojnë fitore të rëndësishme

  • 23 February 2020 - 15:26
Ballkani e mund Ferizajn, Gjilani dhe Trepça ’89 shënojnë fitore të rëndësishme

Ballkani e ka mposhtur bindshëm 3:0 Ferizajn të dielën në Suharekë, duke e ruajtur epërsinë prej tri pikëve në krye të renditjes në Ipko Superligë, në një luftë të zjarrtë katërfronteshe për titull këtë sezon.

Ndërkohë, Gjilani e mundi 2:0 Flamurtarin në Stadiumin e Qytetit në Gjilan, duke i mbajtur gjallë shpresat për titull. Në anën tjetër, Trepça ’89 ka bërë një hap të rëndësishëm për mbijetesë duke e mposhtur me përmbysje 2:1 Dukagjinin në Mitrovicë.

Ballkani 3:0 Ferizaj

Ballkani i Ismet Munishit u rikthye në krye të Superligës me tri pikë më shumë se ndjekësit e parë Drita dhe Prishtina, falë një fitoreje bindëse në shtëpi.

Edvi Kuc e kaloi liderin në epërsi me një gol fantastik nga largësia në minutën e 26-të në Stadiumin e Qytetit në Suharekë.

Pas një periudhe të gjatë pa gola, skuadra vendase i fitoi dy penallti në pesë minutat e fundit.

Arbër Hoxha dhe portieri Armend Ruxhi shënuan nga pika e bardhë për një triumf tjetër të rëndësishëm për Ballkanin në luftë për titull.

Gjilani 2:0 Flamurtari

Duke e mundur 2:0 Flamurtarin, Gjilani bëri një hap të rëndësishëm për të mbetur në luftë për titull, duke e kthyer te fitorja që nuk e kishte shijuar në katër ndeshjet e fundit para takimit me klubin nga kryeqyteti.

Ky ishte momenti i duhur për Gjilanin për t’u kthyer te fitorja, pasi po vinte nga një humbje e dhimbshme ndaj rivalit të përbetuar, Drita.

Sebino Plaku në fund të pjesës së parë dhe Tomislav Busic në pjesën e dytë, realizuan golat e triumfit për Gjilanin.

Tani, Gjilani grumbullon 35 pikë, vetëm pesë më pak se lideri Ballkani dhe dy më pak se Drita dhe Prishtina, në vendet dy dhe tre.

(Kosova Sot Online)