E veja e Kobe Bryant ngre padi për vdekjen e burrit dhe vajzës

  • 25 February 2020 - 10:45
E veja e Kobe Bryant ngre padi për vdekjen e burrit dhe vajzës

E veja e Kobe Bryant, Vanessa, e ka paditur kompaninë pronare të helikopterit që u rrëzua në mjegull më 26 janar dhe i la të vdekur legjendën e basketbollit, Kobe Bryant, vajzën e tij 13-vjeçare Gianna dhe shtatë persona të tjerë.

Padia e ngritur nga Vanessa Bryant në Los Angeles të hënën akuzon pilotin, Ara Zobayan, se ishte i pakujdesshëm dhe neglizhues duke u nisur në kushte të këqija, shkaku i mjegullës. Zobayan ishte në mes të nëntë personave të vrarë nga aksidenti.

Në padi është akuzuar kompania “Island Express Helicopters Inc” si dhe përfaqësuesi ligjor i Zobayan. Kjo pasi që piloti akuzohet se gaboi në tetë raste gjatë udhëtimit, përfshirë këtu: nuk e vlerësoi siç duhet motin, u nis në kushte për të cilat s’mori leje dhe dështoi ta kontrollojë helikopterin.

Padia ligjore u ngrit përderisa po mbahej një ceremoni përkujtimore për Koben dhe Giannan në “Staples Center”, stadiumin ku Kobe luajti gjatë karrierës së tij me Los Angeles Lakers në NBA.

Raporti i fundit i publikuar nga Bordi Kombëtar i Sigurisë në Transport (NTSB) i sqaroi disa gjëra, si historinë e fluturimeve të pilotit dhe të helikopterit Sikorsky S-76B, motin në atë mëngjes dhe komunikimin me kontrolluesit e trafikut ajror.

Në këtë raport thuhet se piloti nuk ishte paralajmëruar për ndonjë problem gjatë fluturimit dhe se të gjitha pajisjet në helikopter kishin qenë në rregull, si dhe se piloti kishte rekord shumë të mirë të fluturimeve.

Bordi Kombëtar për Siguri në Transport (NTSB) ka bërë të ditur se helikopteri Sikorsky S-76 B me dy motorë kishte tentuar të ngjitet për t’iu shmangur një shtrese resh, gjë për të cilën piloti Ara Zobayan mori leje nga kontrolluesit e trafikut ajror, para se ta bënte një kthesë të fortë në ta majtë duke u rrëzuar.

Nga ai moment, NTSB beson se helikopteri ra poshtë me shpejtësi rreth 40 kilometra në orë dhe u përplas në një kodër 60 sekonda më vonë, duke shpërthyer në flakë menjëherë.

“Ne e dimë se helikopteri u përplas me shumë energji në tokë”, tha anëtarja e NTSB, Jennifer Homendy, duke shtuar se helikopteri kishte qenë në një pjesë para se ta godiste tokën.

Homendy tha se retë, mjegulla dhe dukshmëria e dobët të raportuar në zonë të dielën janë detaje kyçe në këtë hetim, që do të zgjasë të paktën një vit për t’u kompletuar.

Helikopteri nuk ishte i pajisur me ndonjë sistem paralajmërues për terrenin, që do të mundë të alarmonte pilotin se helikopteri ishte shumë afër me kodrën. Ai s’kishte as kuti të zezë, pasi që për atë lloj helikopteri nuk kërkohej një gjë e tillë. Kutia e zezë do ta bënte më të lehtë të kuptoheshin rrethanat e aksidentit.  

(Kosova Sot Online)