Embiid e Beal thyejnë rekorde personale, Bucks vazhdojnë formën e mirë

  • 25 February 2020 - 11:28
Embiid e Beal thyejnë rekorde personale, Bucks vazhdojnë formën e mirë

Joel Embiid theu rekordin e karrierës, duke shënuar plot 49 pikë dhe rikuperuar 14 topa në fitoren 129-112 të Philadelphia 76ers ndaj Atlanta Hawks. Embiid realizoi 22 pikë vetën në periodën e katërt, duke qenë i saktë në 14 nga 15 gjuajtjet e lira në total. Për 76ers ishte fitorja e 13 radhazi në shtëpi, teksa kanë shënuar edhe ecurinë më të mirë në sfidat shtëpiake në histori me 27 fitore e vetëm 2 humbje në total. Tek Hawks shkëlqeu i zakonshmi Trae Young me 28 pikë dhe 10 asiste.

Khris Middleton dha kontributin kryesor me 40 pikë në fitoren 134-137 në kohën shtesë të Milwaukee Bucks në parketin e Washington Wizards. Edhe pse shënoi rekordin e karrierës me plot 55 pikë, Bradley Beal nuk u mjaftoi vendësve për të shmangur humbjen. Giannis Antetokounmpo koleksionoi 22 pikë dhe 14 “rebound” në vetëm 24 minuta lojë në radhët e Bucks, që kanë mundur të fitojnë 17 nga 19 takimet e fundit në sezonin e rregullt në NBA.

Talenti slloven, Luka Doncic, i shënoi në periodën e parë 10 nga 20 pikët e tij në fitoren 139-123 të Dallas Mavericks ndaj Minnesota Timberwolves. Vendësit shpërthyen me 41 pikë në 12 minutëshin hapës, për ta patur nën kontroll sfidën deri në rënien e sirenës për përfundim e saj. Doncic qëndroi vetëm 25 minuta mbi parket, duke kontrolluar edhe 9 topa poshtë koshit. Shënuesi më i mirë rezultoi D’Angelo Russell i Timberwolves me 29 pikë, por që nuk mjaftuan përballë faktit që 7 basketbollistë të Mavericks arritën numër dyshifror pikësh, shkruan Supersport. 

I kthehen suksesit pas tri humbjeve radhazi Los Angeles Clippers, që iu imponuan Memphis Grizzlies 124-97. Kalifornianët u udhëhoqën nga dyshja Leonard-Harrell me 50 pikë në total (nga 25 pikë). Vetëm 16 pikë për “rookie” Ja Morant, që s’mund të bënte asgjë për të shmangur disfatën e tretë radhazi të Griezzlies.

Në suksesin 123-112 të Houston Rockest përballë New York Knicks spikati i zakonshmi James Harden me 37 pikë e 9 asiste.

Rezultatet:

Atlanta Hawks 112-129 Philadelphia 76ers

Milwaukee Bucks 137-134 Washington Wizards (OT)

Miami Heat 119-125 Cleveland Cavaliers (OT)

Minnesota Timberwolves 123-139 Dallas Mavericks

Memphis Grizzlies 97-124 LA Clippers

Orlando Magic 115-113 Brooklyn Nets

Phoenix Suns 131-111 Utah Jazz

New York Knicks 112-123 Houston Rockets

(Kosova Sot Online)