Henry: Do të dua të bëhem trajner i Arsenalit deri në ditën e vdekjes

  • 25 February 2020 - 15:19
Henry: Do të dua të bëhem trajner i Arsenalit deri në ditën e vdekjes

Thierry Henry ka zbuluar se ai ende ka ambicie të bëhet trajner i Arsenalit, pasi drejtuesit e klubit londinez e kishin shqyrtuar mundësinë e emërimit të një legjende të klubit në këtë post në vitin 2018, pas largimit të Arsene Wengerit.

Legjenda franceze kishte luajtur për Topçinjtë gjatë viteve 1999-2007. Ai i ndihmoi klubit londinez t’i fitojë gjashtë trofe të mëdha gjatë asaj periudhe, përfshirë këtu dy tituj të Premierligës, para se të kthehej për në periudhë të shkurtë si i huazuar në vitin 2012.

Fituesi i Kupës së Botës i shënoi 228 gola në 376 paraqitjet e tij në të gjitha garat për Arsenalin, duke u bërë golashënuesi më i mirë në histori të klubit. Paraqitjet e tij kanë bërë që ai të cilësohet nga shumë tifozë si lojtari më i mirë në histori të Arsenalit.

Arsenali u raportua se e kishte intervistuar Henryn për postin e trajnerit para se ta emëronte Unai Emeryn në atë pozitë para dy vjetëve, pas largimit të Wengerit.

Megjithatë, pas suksesit të treguar si ndihmës i trajnerit të Belgjikës, Roberto Martinezit, gjatë Kupës së Botës 2018, Henry shkoi te Monaco, por mbijetoi aty vetëm tre muaj, shkaku i formës së dobët të klubit.

“Unë ëndërroj të bëhem trajner i Arsenalit, por gjithashtu ëndërroj të vrapoj nëpër një fushë basketbolli dhe ta ngulis topin. Nuk do të thotë që do të ndodhë vetëm pse e ëndërroj”, ka thënë Henry për Canal Plus.

“Por, po, unë do të dua të bëhem trajner i Arsenalit deri në ditën e vdekjes”. 

(Kosova Sot Online)