Ambasadori italian takon futbollistin serb Ivic: S’ka vend për politikë në sport

  • 25 February 2020 - 15:35
Ambasadori italian takon futbollistin serb Ivic: S’ka vend për politikë në sport

Ambasadori i Italisë në Kosovës, Nicola Orlando, e ka vizituar futbollistin serb Ilija Ivic, i cili është përballur me kritika të ashpra nga mediumet serbe dhe me largimin e nënës nga puna shkaku i ftesës për të luajtur për ekipin kombëtar U-19 të Kosovës.

Ilija Ivic kishte marrë ftesë nga përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll dhe si pasojë nëna e të riut u pushua nga puna në komunën e Graçanicës.

Ditë më parë, Ivic kishte treguar se te klubi ku luan që tri vjet, Flamurtari, është pritur mirë dhe ndihet si në shtëpi, ndërsa ka marrë ftesë edhe nga Përfaqësuesja U19 e Kosovës.

Por pranimi i kësaj ftese kanë bërë që qarqe të caktuara t’i bëjnë presion të jashtëzakonshëm dhe nëna e tij e humbi punën që e kishte në Komunën e Graçanicës.

Të gjitha këto janë cilësuar si të papranueshme nga ambasadori italian në Kosovë, Orlando, i cili shtoi se s’ka vend për politikë në sport dhe i uroi suksese futbollistit.

“Ishte shumë e këndshme ta takoja të talentuarin Ilija Ivic! U uroj atij dhe skuadrës suksese – ndoshta në Itali! Nuk ka vend për politikë në sport. Sporti ka të bëjë me pasionin, konkurrencën e shëndetshme dhe ndërtimin e urave mes atletëve dhe njerëzve. Urime Ilija! Forza Flamurtari!”, shkroi Orlando në llogarinë e tij në Twitter.

Edhe për babanë e futbollistit u raportua se ishte shkarkuar nga puna, megjithatë ai ka thënë që kjo nuk është e vërtetë. Megjithatë, ai beson se fati i bashkëshortes së tij mund ta presë edhe atë.

(Kosova Sot Online)