Interistët e Kosovës e takojnë legjendën Javier Zanetti

  • 26 February 2020 - 07:54
Interistët e Kosovës e takojnë legjendën Javier Zanetti

Një grup tifozësh të Interit nga Kosova patën fatin ta takojnë legjendën e klubit zikaltër, Javier Zanettin, i cili nuk ngurroi ta vulosë nënshkrimin e tij në një veshje të Inter Club Kosova.

Si pjesëtarë të grupit zyrtar të tifozëve kosovarë të Interit, Inter Klub Kosova, Alban Kurtishi me shokë e vizituan Bullgarinë javën e kaluar, për ta shikuar nga afër ndeshjen e parë të Interit me Ludogorets në fazën e 32 skuadrave më të mira në Ligën e Evropës.

Përveç se e shijuan një fitore të lehtë 2:0 falë golave nga Christian Eriksen dhe Romelu Lukaku, interistët kosovarë morën edhe diçka të veçantë dhe paharrueshme me vete nga vizita në Bullgari, nënshkrimin e ish-kapitenit legjendar, fituesit të tripletës me zikaltrit më 2010, Zanettit.

Ata kanë pozuar me argjentinasin, tani zëvendëspresident i Interit, gjithashtu.

Zanetti e ka hedhur nënshkrimin e tij pikërisht mbi emrin “Kosova” në një rrobë të Inter Club Kosova.

Në fund të vitit të kaluar, anëtarë të Inter Club Kosova i kishin bërë 46-vjeçarit një dhuratë modeste në restorantin e tij në Milano, ku kishin darkuar.

Inter Club Kosova është i vetmi klub zyrtar për tifozët e Interit në vend. 

(Kosova Sot Online)