Pritet kthimi i Curryt këtë të diel, amerikani dëshmon se është në superformë

  • 26 February 2020 - 10:16
Pritet kthimi i Curryt këtë të diel, amerikani dëshmon se është në superformë

Pasi ka munguar në katër muajt e fundit për shkak të dorës së thyer, ylli i Golden State Warriors, Stephen Curry, do të kthehet në formacionin e skuadrës së tij të dielën në ndeshjen kundër Washington Wizards, sipas mediumit amerikan The Athletic.

Lëndimi në dorë e ka limituar Stephen Curryn t’i luajë vetëm katër ndeshje këtë sezon, duke i lënë Warriors në krizë pasi që trajner Steve Kerr duhej ta përgatiste skuadrën edhe pa yllin tjetër të skuadrës, Klay Thompson, i cili është ende duke u rikuperuar nga lëndimi i tij.

Përderisa ai ka qenë duke e synuar 1 marsin si datën e tij të kthimit, Curry thotë se ende nuk është në 100 përqindëshin e tij.

“Do të ndihem ndryshe. Kushdo që ka pasur operacion e di se të duhet një kohë e gjatë për t’u kthyer në normalitet”, tha Curry. 

Megjithatë, përkundër që ai ka thënë se nuk është ende në formën e tij më të mirë, një video që është bërë virale në rrjete sociale tregon se amerikane s’e ka humbur aftësinë e tij për të shënuar trepikësha.

Golden State për momentin e ka rekordin më të dobët në NBA dhe është skuadra më e dobët nga të dyja konferencat, me 12 fitore dhe 45 disfata. Fakti që skuadra i humbi shpresat për kualifikim në fazën play-offs, Curry pati mundësi ta marrë shtruar kthimin e tij nga lëndimi.

“Ky ishte një lëndim serioz që kishte shumë anë. U bëra operacion dy herë dhe kisha edhe dëmtim të nervave dhe kam qenë duke u përballur edhe me disa gjëra të tjera. Ishte diçka e re. Nëse do të kishte qenë lëndim i kyçit të këmbës, do të ju tregoja gjithçka në çdo hap të rrugës”, shtoi Curry.

Curry i kishte shënuar mesatarisht nga 24 pikë në tri paraqitjet e tij para së të lëndohej dhe ta linte në gjysmë ndeshjen e katërt.

Përderisa kthimi i tij nuk do t’i ndihmojë skuadrës për shpresat për kualifikim në fazën play-offs, ai mund t’i shfrytëzojë 22 ndeshjet e fundit për t’u kthyer në formën e tij më të mirë në përgatitje për sezonin e ardhshëm.

 

(Kosova Sot Online)