Shqipëria bëhet gati për ta përdorur VAR-in në ligën vendore

  • 26 February 2020 - 12:35
Shqipëria bëhet gati për ta përdorur VAR-in në ligën vendore

Federata Shqiptare e Futbollit i ka filluar punimet për ta nisur përdorimin e teknologjisë së VAR-it (Video Assistant Referee) në ndeshjet e Kategorisë Superiore, nivelit të parë të futbollit në Shqipëri, që nga sezoni 2021/22.

Në një tjetër sezon ku ka pasur akuza drejt gjyqtarëve për gabime të qëllimshme, Federata Shqiptare e Futbollit tashmë e ka ngritur një grup punë dhe i ka filluar seminaret e takimet me FIFA-n dhe IFAB për t’u përgatitur për përdorimin e VAR-it pas dy sezoneve.

Seminaret e para për implementimin e teknologjisë VAR u mbajtën të martën dhe të mërkurën, Të pranishëm ishim: presidenti i Federatës Armand Duka, menaxheri i shërbimeve të futbollit në IFAB Thibaud Nijssen, anëtari i Departamentit të Teknologjisë dhe Inovacionit në FIFA Bhaveshan Moorghen, pëfaqësuesi i sektorit të arbitrimit në FIFA Mike Bossler dhe disa drejtues të tjerë të FSHF-së.

Presidenti Duka shprehu vullnetin e tij për ta implementuar këtë sistem në Kategorinë Superiore nga sezoni 2021-2022 dhe kërkoi nga ekspertët e IFAB dhe FIFA ekspertizën e nevojshme për të rritur kapacitetet njerëzore dhe për t’ia sugjeruar sistemin më të mirë që duhet implementuar.

“Jemi në këtë takim për sistemin VAR, pavarësisht se ka mendime të ndryshme, ky është një vendim tashmë, një vendim për t’u respektuar dhe për t’u zhvilluar. Si të gjitha vendet evropiane dhe përtej që e kanë implementuar, ne kemi vendosur ta fillojmë këtë proces”, ka thënë Duka.

“Me përkrahjen tuaj unë uroj që të bëjmë një sistem sa më të mirë, është diçka e ndërlikuar. Unë nuk mendoj se VAR-i do ta drejtojë lojën, do të jenë përsëri gjyqtarët dhe kjo është shumë e rëndësishme që gjyqtari ta kuptoj që mbetet ai që vendos”.

“Teknologjia dhe sistemi VAR janë për ta ndihmuar gjyqtarin në vendimmarrjen e tij, por jo për të vendosur në fushë. Në fushën e lojës vendos vetëm gjyqtari. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, e kam fjalën për pjesën tonë, në mënyrë që pas implementimit të sistemit të mos bëjmë gabime trashanike, që edhe ndodhin kur ti nuk e përdor mirë atë informacion që të jep teknologjia”.

“Përgatitja e kapaciteteve njerëzore është më e rëndësishme sesa dy-tre kamera apo dy-tre pajisje që vendosin vijat për pozicionin jashtë loje. Objektivi jonë është që ta fillojmë në sezonin 2021-2022. Unë mendoj se duhet ta fillojmë me një kategori, dhe besoj se do të fillojmë me Kategorinë Superiore”.

Puna drejt implementimit të VAR-it do të jetë e ndarë në disa faza. Fillimisht do të bëhet një grup pune me ekspertët e referimit, gjyqtarët aktualë, ekspertët e teknologjisë, ekspertët ligjorë. Pastaj duhet të ndiqen trajnimet dhe për merren kualifikimet e nevojshme nga programi për asistencë, aprovim dhe implementim që jepet nga IFAB dhe FIFA, me qëllim për tu fokusuar te praktikat më të mira.

Ndihma e IFAB dhe FIFA ofrohet për ta zhvilluar në mënyrën më të mirë sistemin VAR, për t’i mbrojtur turnetë dhe konkurrencën. Në fazën e dytë parashikohet përcaktimi i sistemit që do të implementohet.

Ekspertiza nga IFAB dhe FIFA përveç rritjes së kapaciteteve njerëzore do të jetë edhe në përzgjedhjen e sistemit më të mirë, duke parë që sot aplikohen tre sisteme VAR: një sistem me regji qendrore, një sistem me regji në çdo stadium dhe një tjetër me mini-van të lëvizshëm për çdo stadium ku luhen ndeshje.

Ekspertët e ardhur në Tiranë u shprehën se kërkohet cilësi maksimale në momentin e implementimit, dhe duhet që të gjithë të jenë të kujdesshëm në afatet kohore. Ata sugjeruan që të merret e gjitha koha e nevojshme, në mënyrë që të mos nxitohet për të arritur më të mirën. 

(Kosova Sot Online)