Willian: S’e di a do të qëndroj në Chelsea, s’më pëlqen oferta

  • 26 February 2020 - 13:31
Willian: S’e di a do të qëndroj në Chelsea, s’më pëlqen oferta

Willian ka sugjeruar se ai mund të largohet nga Chelsea gjatë afatit kalimtar të verës, për shkak të mosmarrëveshjeve me klubin sa i përket rinovimit të kontratës. Kontrata e tij aktuale skadon në qershor.

31-vjeçari brazilian nuk ka nënshkruar ende kontratë të re me Chelsean, përkundër që klubi londinez ia ka bërë disa oferta. Gjatë verës, ai mund të largohet pa asnjë cent nga Londra, përveç nëse e rinovon tani kontratën me “Të Kaltrit”.

Anësori i Chelseat po kërkon kontratë të paktën trevjeçare, përderisa Chelsea i ka ofruar vetëm t’ia zgjasë kontratën edhe për një vit. Këtë situatë të Willian janë duke e monitoruar disa klube, si Tottenhami i Jose Mourinhos dhe Juventusi.

Arritja e marrëveshjes për transferimin e anësorit Hakim Ziyech nga Ajaxi në Chelsea gjatë verës bën që trajneri Frank Lampard të ketë më shumë opsione për krahët e sulmit për sezonin e ardhshëm dhe i shton dyshimet për të ardhmen e Willian.

Willian tani ka zbuluar se atij i është dhënë mundësia të qëndrojë në Stamford Bridge edhe për dy vjet të tjera, mirëpo ai dëshiron kontratë trevjeçare – qëndrim ky që mund ta detyrojë atë të largohet nga Londra nëse drejtuesit e Chelseat s’i ndryshojnë qëndrimet e veta.

“Është një situatë e vështirë sepse Chelsea m’i ka ofruar dy vjet kontratë dhe ata nuk do ta ndryshojnë ofertën e tyre. Unë u kam thënë se i dua edhe tre vjet të tjera” , ka thënë anësori brazilian.

“Situata është vështirësuar për shkak të kësaj. Unë nuk e di nëse do të jetë e mundur që unë të qëndroj. Synimi im është të vazhdoj të punoj dhe të përqendrohem në pjesën e mbetur të sezonit, kështu që Chelsea të mundë të vazhdojë të fitojë ndeshje”.

“Unë e kam mendjen e qartë dhe jam i përqendruar në pjesën e mbetur të sezonit që e kemi. Është e vështirë të them nëse do të qëndroj. Do ta shohim se çfarë do të ndodhë”.

(Kosova Sot Online )