Maradona: Do ta doja ta kishte një Messi edhe Napoli

  • 26 February 2020 - 14:11
Maradona: Do ta doja ta kishte një Messi edhe Napoli

Legjenda argjentinase e futbollist, Diego Maradona, ka thënë se atij do t’i kishte pëlqyer që Napoli ta kishte një lojtar si kapiteni i Barcelonës, Lionel Messi. Mirëpo, shtoi se ylli i katalonasve nuk do ta përjetonte kurrë atë që e kishte përjetuar vetë ai në vitet e 80-ta.

Diego Maradona kishte luajtur për Napolin nga viti 1984 deri në vitin 1991. Gjatë kësaj periudhe shtatëvjeçare,  ai i fitoi dy tituj të Serisë A, një titull të Kupës së Italisë dhe një titull të Kupës së UEFA-s.

Barcelona e Messit u përballet me Napolin të martën në mbrëmje në stadiumin San Paolo, në ndeshjen e parë të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, që përfundoi me barazim 1:1.

Maradona e mbajti një konferencë për shtyp para përballjes të skuadrës së tij, Gimnasia La Plata, në Kupën e Argjentinës kundër Sportivo Barracas dhe gjeti kohë për ta komentuar vizitën e Messit në Napoli.

“Do të më kishte pëlqyer të isha përballur me Messin. Ai arriti në San Paolo kur Napoli është në rënie”, tha Maradona.

“Messi s’e ka përjetuar kurrë atë që unë e kam provuar, por ai mund të luajë i sigurt në Napoli. Ai s’mund ta bëjë atë që e bëra unë, le ta kemi të qartë, por do të më kishte pëlqyer që napoletanët ta kenë një Messi”.

Maradona kishte pasur shumë probleme gjatë kohës sa kishte qenë në Napoli, pasi që vazhdimisht ishte ankuar për privatësi dhe ishte kapur duke përdorur edhe drogë.

(Kosova Sot Online )