“Stadiumet e zbrazëta nuk janë të bukura”

  • 26 February 2020 - 17:16
“Stadiumet e zbrazëta nuk janë të bukura”

Trajneri i Interit, Antonio Conte, ka thënë se ta luash derbin e Italisë në një stadium të zbrazët nuk është gjë e mirë, por duhet respektuar vendimin për të luajtur pa tifozë për shkak se është marrë për arsyeje shëndetësore.

Futbolli italian u përball me një javë kontroverse, pasi ndeshjet e fundjavës në pjesën veriore të vendit u shtynë për shkak të shpërndarjes së shpejtë të koronavirusit.

Ndeshja e Interit kundër Sampdorias e paraparë të luhej të dielën u shty për një datë të pacaktuar, ndërsa zikaltrit do të detyrohen të luajnë pa tifozë në stadiumin e vet të enjten kundër Ludogoretsit në Ligën e Evropës.

Ngjashëm, edhe derbi i Italisë mes Juventusit dhe Interit në Torino do të zhvillohet pa tifozë të dielën.

“Mendoj se fakti që po luajmë prapa dyerve të mbyllura nuk është gjë e bukur, futbolli ka nevojë për publik dhe për ta ndier tërë atmosferën rreth tij, sepse është gjëja më e mirë”, tha Conte.

“Por ne e respektojmë vendimin e marrë për arsye shëndetësore, ama shpresoj se çdo gjë do të rikthehet në normalitet”, shtoi ai.


(Kosova Sot Online)