Maradona: Dua që Napoli ta ketë një Messi, por ai s’mund ta përjetojë atë që e përjetova unë

  • 26 February 2020 - 17:32
Maradona: Dua që Napoli ta ketë një Messi, por ai s’mund ta përjetojë atë që e përjetova unë

Diego Armando Maradona thotë se do të donte që Napoli ta ketë një Lionel Messi, por këmbëngul se asi i Barcelonës nuk do të mundë asnjëherë ta përjetonte atë nëpër të cilën kishte kaluar ai në vitet 1980-ta.

Maradona luajti për Napolin nga viti 1984 deri më 1991, duke i fituar dy tituj në Serie A, një herë Kupën e Italisë dhe një herë Kupën e UEFA-s gjatë qëndrimit të tij turbulent në San Paolo.

Barcelona e Messit u përball mbrëmë me Napolin në San Paolo në një ndeshje të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve, e cila u mbyll me një barazim 1:1.

Maradona foli për Messin dhe Napolin para përballjes së mbrëmshme.

“Do të më kishte pëlqyer të përballesha me Messin. Ai mbërriti në San Paolo kur ekipi ishte në rënie”, tha Maradona.

“Messi nuk e ka përjetuar asnjëherë atë që e kam përjetuar unë, por ai mund të luajë i sigurt në Napoli”, shtoi ai.

“Messi nuk do të mundë ta bëjë atë që e kam bërë unë, ta sqarojmë këtë, por do të më pëlqente sikur napolitanët ta kishin një Messi”, theksoi ai.

Thuhet se Maradona kishte vështirësi ta përballonte famën e vet në një mjedis me mungesë privasie si Napoli, pasi vazhdimisht ishte ankuar për mungesë privasie në kohën kur po luante për këtë ekip.


(Kosova Sot Online)