Man City po përballet me hetime të trefishta nga Premierliga

  • 28 shkurt 2020 - 11:03
Man City po përballet me hetime të trefishta nga Premierliga

Manchester City po përballet me hetime të trefishta nga Premierliga, që mund t’i sjellin klubit anglez gjobitje shtesë ose dënim me ulje pikësh, si shtesë ndaj dënimit që klubi e mori nga UEFA prej dy vjetësh pezullim nga garat evropiane dhe gjobës prej 30 milionë eurosh.

Liga angleze kishte filluar t’i hetojë praktikat financiare dhe rekrutuese të Manchester Cityt pothuajse një vit para se UEFA t’i fillonte hetimet për shkelje të rregullave të ndershmërisë financiare, gjë për të cilën edhe e dënoi klubin anglez.

DailyMail raporton se Premierliga ka qenë duke punuar me një kompani ligjore për të grumbulluar të dhëna për financat e Cityt në një hetim që është duke u realizuar në mënyrë të veçantë, ndaras nga hetimet për klubet e tjera.

Dënime të mundshme për Manchester Cityn përfshijnë një gjobë potenciale, dënim për të mos ia lejuar transferimin e lojtarëve ose një ulje të pikëve. Ndërsa, ka shumë pak gjasa që klubit t’i merren titujt e fituar më herët.

Së pari do të hetohet nëse Manchester City e ka shkelur një rregull për “Kontrollin e Shpenzimeve Afatshkurta” mes viteve 2013 dhe 2016. Ky rregull thotë që klubet s’kanë të drejtojë t’i rrisin shpenzimet për pagat e lojtarëve më shumë sesa 7 për qind për sezon, përveç nëse e dëshmojnë se i janë ngritur përfitimet nga sponsorët.

Nëse hetuesit e Premierligës gjejnë dëshmi që e mbështesin vendimin e UEFA-s se City e kishte deklaruar gabimisht, duke e rritur, shumën e përfitimeve financiare nga sponsorët gjatë kësaj periudhe, atëherë klubi do të dënohet.

Premierliga gjithashtu është përgjegjëse për operimin e procesit të licencimit të UEFA-s, që u nis në vitin 2004 për klubet që garojnë në garat evropiane. Nëse City dëshmohet se ka gënjyer në raportet financiare, atëherë klubi do t’i ketë shkelur edhe rregullat e kontratave për licencim.

Elementi i tretë dhe i fundit i këtyre hetimeve do të bëhet për mënyrën se si City i ka rekrutuar lojtarët e rinj, veçanërisht nga klubi danez Nordsjaelland. Klubi anglez dhe ai danez thuhet se kishin marrëveshje mes viteve 2016 dhe 2020 për t’ua lejuar atyre të marrin lojtar falas nga një akademi në Ganë, që është në kundërshtim me një rregull të FIFA-s për pronësi.

(Kosova Sot Online )