Dumoshi premton ndërtimin e qendrës për xhudo në Pejë

  • 28 February 2020 - 12:00
Dumoshi premton ndërtimin e qendrës për xhudo në Pejë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka premtuar se së shpejti do të ndërtohet qendra e xhudos në Pejë, për të cilën do të kontribuojë në aspektin financiar edhe Federata Ndërkombëtare e Xhudos.

Si sportistja e vetme e Kosovës me medalje Olimpike, të cilën e fitoi në kategorinë deri në 52 kilogramë në xhudo në Lojërat Olimpike Rio 2016, Majlinda Kelmendi u bë me statujë sot në Pejë.

Kjo statujë e xhudistes kosovare është ndërtuar nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos, ndërsa për lokacionin e saj ishte diskutuar shumë, pasi që trajneri Driton Kuka ishte ankuar pse Komuna e Prishtinës nuk i ka kthyer përgjigje për ta vendosur atë në kryeqytet.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Dumoshi, ka bërë të ditur se Federata Ndërkombëtare e Xhudos do t’i ndihmojë Kosovës ta ndërtojë edhe një qendër të xhudos në Pejë.

“Sot kemi ardhur në Pejë për shtatoren e heroinës sonë të gjallë, Majlinda Kelmendit. Majlinda lindi këtu, e mësoi gjuhën këtu e atë gjuhën shqipe tonë e valëviti me flamurin tonë ku edhe na erdh medalja Olimpike e parë”, ka thënë Dumoshi.

“Majlinda, ti ju guximi ynë. Xhudoja ka një histori që lidhet edhe me popullin tonë, me një pjesë luftarake. Sot jetojmë në liri dhe urojmë që të gjithë xhudistët tanë që do të marrin këtë vit pjesë në Lojërat Olimpike të kthehen me medalje”.

“Si Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, bashkërisht me Komunën e Pejës, do të punojmë shumë për ndërtimin e qendrës të xhudos në Pejë. Unë e kam pasur nderin mbrëmë të jem në darkë me presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, ku kemi biseduar dhe ata do të na ndihmojnë edhe financiarisht që ta ndërtojmë këtë qendër sa më shpejt”.

(Kosova Sot Online)