Përurohet shtatorja e Majlinda Kelmendit në Pejë

  • 28 February 2020 - 12:13
Përurohet shtatorja e Majlinda Kelmendit në Pejë

Kampiones së vetme Olimpike të Kosovës, Majlinda Kelmendit, iu përurua sot në Pejë shtatorja e saj, e ndërtuar nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos, falë sukseseve të saj në arenën globale në këtë sport.

Të pranishëm në ceremoninë e përurimit të statujës së Majlinda Kelmendit ishin shumë personalitete si: presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos Maruis Vizer, i pari i Federatë së Xhudos të Kosovës Agron Kuka, kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, ish-kryeministri Ramush Haradinaj e shumë qytetarë të tjerë.

Xhudistja Kelmendi u shpreh e emocionuar në përurimin e shtatores së saj në Pejë, ku tha se është e lumtur që statuja iu vendos në këtë qytet ku e filloi rrugëtimin drejt majave botërore e jo në Prishtinë.

Kjo statujë e xhudistes kosovare është ndërtuar nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos, ndërsa për lokacionin e saj ishte diskutuar shumë, pasi që trajneri Driton Kuka ishte ankuar pse Komuna e Prishtinës nuk i ka kthyer përgjigje për ta vendosur atë në kryeqytet.

“Sot është një ditë historike jo vetëm për juve. Ashtu si po e përjetoni ju, unë jam duke e përjetuar edhe dy herë më shumë. Kam shumë emocione, faleminderit shumë që keni ardhur”, tha Kelmendi.

“Shumë njerëz më kanë pyetur a duhej të ishte vendosur statuja në Prishtinë, por mendoj se është më mirë që është këtu në Pejë, ku kam lindur dhe e kam filluar karrierën”.

“Besoj se kjo statujë do t’i motivojë shumë fëmijët në Kosovë dhe do t’i bindë që edhe ata mund të arrijnë suksese si unë. Gjithçka që kam arritur, unë kam filluar prej këtij vendi të vogël dhe i kam arritur majat botërore. Faleminderit shumë”. 

(Kosova Sot Online)