Aubameyang s’e di si e humbi rastin e artë për ta shmangur eliminimin: Ndihem shumë keq

  • 28 February 2020 - 12:58
Aubameyang s’e di si e humbi rastin e artë për ta shmangur eliminimin: Ndihem shumë keq

Sulmuesi i Arsenalit, Pierre-Emerick Aubameyang, ishte shumë i zhgënjyer që s’arriti ta konkretizojë një mundësi të artë për t’iu shmangur eliminimit nga Liga e Evropës në ndeshjen kundër Olympiacos.

Humbja e një rasti të artë nga Pierre-Emerick Aubameyang në sekondat e fundit të ndeshjes së Arsenalit kundër klubit grek Olympiacos bëri që Arsenali të eliminohet në fazën e 1/16 të Ligës së Evropës.

Arsenali u eliminua në këtë fazë përkundër që rezultati i përgjithshëm ishte 2:2, për shkak të epërsisë së grekëve në golat e shënuara si mysafirë.

Triumfi në Ligën e Evropës do t’ia kishte dhënë Arsenalit kualifikimin në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, por tani Topçinjtë do të duhet ta fitojnë një vend të top katërshes së Premierligës për ta siguruar këtë.

“Është shumë, shumë zhgënjyese. Çfarë mund të them? Është shumë, shumë e vështirë. Ishte një ndeshje e vështirë sërish”, tha kapiteni i klubit, në një intervistë të dhënë për BT Sport, pas ndeshjes.

“Goli i tyre afër fundit të ndeshjes ishte shumë i pafat për ne. Kjo është e gjitha”.

“S’e di si e humba atë rast. Ndihem shumë, shumë keq. Gjërat e tilla ndodhin, por unë nuk e di se si e humba atë mundësi. Isha i lodhur, kisha ngërçe, por kjo s’është arsye”. 

(Kosova Sot Online)