Humbja nga Drita shqetëson Drenicën e rrezikuar

  • 28 February 2020 - 15:58
Humbja nga Drita shqetëson Drenicën e rrezikuar

Trajneri i Drenicës, Gani Sejdiu, është shprehur i shqetësuar pas disfatës së fundit kundër Dritës me rezultat 4:1, pasi që skuadra e tij rrezikon të bie nga Ipko Superliga e Kosovës në fund të këtij sezoni.

Drita e ka regjistruar një fitore të sigurt në duel me Drenicën sot, në ndeshjen hapëse të xhiros së 20-të të IPKO Superligës së Kosovës në futboll. Gjilanasit fituan me rezultat 4:1, në një ndeshje ku e mbyllën çështjen e fituesit qysh në pjesën e parë, kur i realizuan tre gola.

Kastriot Rexha ishte heroi i Bardhekaltërve me dy golat e tij. Fillimisht, sulmuesi i rrezikshëm shënoi pas një asistimi që e mori nga Xhevdet Shabani në minutën e tetë.

Më pas, gabimin e mbrojtjes drenicase e shfrytëzoi Vucaj, i cili asistoi për Rexhën, që e shënoi golin e dytë në minutën e 21-të. Ndërkaq, golin e tretë dhe të qetësisë për vendësit e realizoi Betim Haxhimusa.

Për mysafirët, golin e vetëm dhe të pamjaftueshëm e shënoi Alban Shillova me kokë në minutën e 61-të. E gjilanasit e gjetën edhe golin e katërt në kohën shtesë me anë të Izair Eminit.

Kjo disfatë bën që Drenica të jetë në rrezik ta mbyllë xhiron e 20-të në zonën për rënie nga Ipko Superliga e Kosovës, në rast se Flamurtari e fiton përballjen e kësaj xhiroje kundër Vushtrrisë.

 “Më brengos fakti që po tregohemi jo serioz në fushë. Duhet kritika për të gjithë, duke më përfshirë edhe mua. Të gjitha ndeshjet po i humbim në pjesën e parë. Kundërshtarëve po ua falim lojën që në pjesën e parë”, ka thënë Sejdiu për Supersport, pas ndeshjes.

“Kur ua dhurojmë fitoren në pjesën e parë, vjen në shprehje cilësia e kundërshtarit në pjesën e dytë. Është një humbje për brengosje, është moment shqetësues. Do të ketë ndryshime, do të ketë reagim”.

Drita me këtë rast e barazoi Ballkanin me pikë në krye të tabelës, edhe pse therandasit e kanë një ndeshje më pak të zhvilluar. Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, tha se skuadra e tij e meritoi këtë fitore.

“Kishim posedimin dhe golat i shënuam me plot meritë. Ndoshta në pjesën e dytë është dashur të hyjmë më mirë, por ka ndikuar edhe rezultati. Përqendrimi ishte te Drenica që vinte pas dy humbjeve dhe ka tentuar reagimin. Tani i kthehemi ndeshjes së ardhshme”, tha Nuhiu. 

 

(Kosova Sot Online)