Klopp nuk dorëzohet: Premierliga ka ende konkurrencë

  • 29 February 2020 - 08:19
Klopp nuk dorëzohet: Premierliga ka ende konkurrencë

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, i ka mohuar pretendimet se dominimi i skuadrës së tij është shenjë se Premierliga është bërë më pak konkurruese, përderisa ka paralajmëruar se skuadra e tij mund të përmirësohet edhe më shumë.

“The Reds” i kanë humbur vetëm dy pikë nga 27 ndeshjet e zhvilluara deri më tani në ligën elitare të futbollit në Angli, në një sezon ku mund të thyhen disa rekorde.

Tani Liverpooli e ka në dorë të vet ta fitojë titullin e parë si kampion i Anglisë në 30 vjet, pasi që i duhen vetëm edhe katër fitore të tjera për ta konfirmuar edhe matematikisht triumfin.

Klubet që në fillim të sezonit kishin shpresuar se do të bëheshin vetë kampione këtë sezon, përfshirë këtu edhe kampionin në fuqi Manchester Cityn, kanë mbetur shumë prapa Liverpoolit. Por, Klopp beson se gara ka ende mjaft shumë konkurrencë.

“S’më intereson aspak çfarë thonë njerëzit. Shikoni, është plotësisht normale. Unë nuk mendoj se ne duhet të shqetësohemi për gjëra të tilla. Nëse njerëzit tjerë mendojnë ashtu – nëse mendojnë se Manchester City nuk është aq i mirë sa ishte më parë – ende është!”, tha thënë Klopp.

“Ata kanë shënuar më pak gola se ne, kanë pranuar më shumë se ne dhe nëse e shikoni pse, është e qartë se atyre u kanë munguar disa lojtarë. Edhe ekipet e tjera janë shumë të forta. Po, Bayerni e ka mposhtur Tottenhamin dhe Chelsean në Ligën e  kampionëve, por ata janë shumë të fortë brenda sezonit”.

“Kështu që, kjo nuk do të thotë asgjë për cilësinë e Premierligës, veçanërisht kur e shikon ndeshjen mes Cityt dhe Real Madridit. Unë e di se njerëzit i shikojnë këto gjëra dhe thonë se e panë njërën ndër skuadrat më të mira në botë dhe City ishte qartësisht më i mirë dhe kjo e dëshmon sa e mirë është liga”.

“Ne në Liverpool kemi ende shumë punë për të bërë dhe shumë hapësirë për t’u përmirësuar”.

(Kosova Sot Online )