Vjen kërkesa e çmendur, Napoli ia kërkon 99 milionë euro Unitedit për Koulibalyn

  • 29 February 2020 - 09:16
Vjen kërkesa e çmendur, Napoli ia kërkon 99 milionë euro Unitedit për Koulibalyn

Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, ia ka vënë mbrojtësit Kalidou Koulibaly çmimin prej 99 milionë eurove, shkaku i interesimit të madh nga Manchester Unitedi, por edhe Paris Saint-Germaini për senegalezin.

Senegalezi është bërë njëri ndër lojtarët më të kërkuar në Evropë, falë paraqitjeve të tij mbresëlënëse. Nëse 28-vjeçari i bashkohet Djajve të Kuq këtë verë, ai do të ishte një ndihmë e madhe për Manchester Unitedin gjatë sezonit të ardhshëm.

Nëse transferimi zyrtarizohet, atëherë kjo do të ishte hera e dytë që Unitedi shpenzon shuma të mëdha parash për transferimin e një qendërmbrojtësi. Gjatë verës së kaluar, anglezët i paguan 80 milionë funte për Harry Maguire.

Koulibaly ka qenë në Napoli që nga viti 2014, kur u transferua nga Genku. Ai e zuri menjëherë një vend në ekipin e parë, duke qenë mbresëlënës edhe në Serie A edhe në Ligën e Kampionëve për klubin italian.

Për të thuhet se janë të interesuara edhe disa nga klubet më të mëdha të Evropës, si Barcelona, Real Madridi, Paris Saint-Germaini dhe Manchester City.

(Kosova Sot Online )