Zbulohen taktikat me të cilat Joshua synon ta mposhtë Furyn

  • 29 February 2020 - 09:51
Zbulohen taktikat me të cilat Joshua synon ta mposhtë Furyn

Promotori i Joshuas, Eddie Hearn, beson se Tyson Fury nuk do të ketë mundësi ta mposhtë Anthony Joshuan ashtu siç e mposhti Deontay Wilderin, për shkak të aftësive dhe strategjisë së Joshuas.

Dy boksierët britanikë i mbajnë së bashku të gjithë titujt e boksit në kategorinë e peshave të rënda, pasi që Tyson Fury e mposhti Deontay Wilderin të shtunën e kaluar për ta marrë titullin e WBC.

Promotori i Anthony Joshuas, Eddie Hearn, doli në media menjëherë pas meçit të Furyt dhe kërkoi që të zhvillohej meçi i shumëkërkuar Fury – Joshua. Pro këtij meçi është edhe promotori i Furyt.

Megjithatë, ky meç kundër Joshuas nuk do të ketë mundësi të realizohet menjëherë, pasi që Wilder e ka shfrytëzuar opsionin në kontratën me Furyn për ta kërkuar një meç të tretë mes tyre.

Për shkak të kësaj, Joshua tani do të përballet me Kubrat Pulev së pari, në meçin që e ka të detyruar për titullin e IBF. Ky meç mund të zhvillohet në stadiumin e Tottenhamit më 20 qershor.

Por, kur të vijë radha për meçin mes Joshuas dhe Furyt, promotori i të parit, Eddie Hearn, beson se klienti i tij do të fitojë.

“Ju e dini çfarë do të bëjë ai;  ai e ka aftësinë të bëjë çfarëdo që të dojë. Fury nuk do të mundë ta lodhë Joshuan ashtu siç bëri me Wilderin, thjesht s’do të mundet”, ka thënë Hearn.

“Joshua është shumë i fortë, është shumë i mprehtë dhe është shumë i mirë. Ai nuk do ta presë kundërshtarin ta godasë më grushtin e djathtë. Ai mund të godasë edhe me të majtin, edhe nga poshtë, mund të luftojë me trup, mund të boksojë nga afër e nga larg”.

“Fury e di këtë. Ai do të luftojë kundër AJ ashtu siç bëri kundër Wladimir Klitschkos. Nuk mendoj se AJ do ta humbë atë meç, mirëpo po më pëlqen që bastoret po e favorizojnë Furyn”.

(Kosova Sot Online )