Klubi “Olympic Art” fiton tri medalje në Gjermani

  • 02 March 2020 - 14:15
Klubi “Olympic Art” fiton tri medalje në Gjermani

Klubi i Takwondos “Olympic Art” po vazhdon të tregohet i suksesshëm në arenën ndërkombëtare.

Klubi kosovar mori pjesë së fundmi në turneun “German Open G2-E2”, ku u përfaqësua me pesë garues.

Kjo garë u mbajt fundjavën që shkoi në Hamburg të Gjermanisë.

Me këtë rast, sporti i Taekwondos së Kosovës e tregoi veten edhe një herë, ndërsa garuesit e klubit “Olympic Art” i dëshmuan cilësitë e tyre dhe me performanca të shkëlqyeshme arritën t’i fitonin 3 medalje: një të artë dhe dy të bronzta.

Më saktësisht, Jon Gashi e fitoi medaljen e artë për kadetë në kategorinë deri në 57 kilogramë.

Elion Agushi ishte i bronztë tek kadetët në kategorinë deri në 49 kilogramë.

I bronztë ishte edhe Arnis Agushi për juniorë në kategorinë deri në 63 kilogramë.

Në këtë garë morën pjesë edhe Denis Bllaca për juniorët deri në 51 kilogramë dhe Rona Gashi, po ashtu juniorë, deri në 63 kilogramë.

Trajner i ekipit ishte Arsim Agushi.

Në këtë turne morën pjesë 760 garues nga vende të ndryshme.

Klubi i Taekwondos “Olympic Art” e falënderon stafin e klubit si dhe sponsorin, kompaninë “EX FIS sh.p.k”. 

(Kosova Sot Online)