Ronaldo dëshiron të kthehet në Real Madrid

  • 02 March 2020 - 14:24
Ronaldo dëshiron të kthehet në Real Madrid

Cristiano Ronaldo ishte i pranishëm në Santiago Bernabeu të dielën mbrëma për ta shikuar El Clasicon dhe një burim i afërt me yllin e Juventusit pretendon se ai e ka një dëshirë të fortë për t’u kthyer në Real Madrid.

Përfaqësuesi i Portugalisë e braktisi Realin në verën e vitit 2018 për t’iu bashkuar Juventusit, me të cilin e fitoi titullin në Serie qysh në sezonin e parë, ndërsa këtë sezon është duke luftuar në të gjitha frontet.

Ai e ka vazhduar formën e mirë edhe në Torino dhe tashmë i ka shënuar 53 gola në 74 paraqitjet e para me bardhezinjtë.

Edu Aguirre nga El chiringuito de Jugones, burim i afërt me Ronaldon, ka thënë se 35-vjeçari e ka ndier dashurinë për Real Madridin sapo kishte mbërritur në Bernabeu për ta shikuar ndeshjen kundër Barcelonës.

“E di sigurt se Cristiano dëshiron të kthehet në Real Madrid. Ai e ndjeu dashurinë e Real Madridit kur erdhi në Bernabeu, ishte i ngazëllyer”, tha Aguirre.

“Ai është i përqendruar plotësisht në Juventusin tani, por në futboll kurrë s’i dihet. Unë nuk e di çfarë do të ndodhë në të ardhmen, askush nuk mundet”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online)