Federata shqiptare heq dorë nga Superkupa e Evropës, e synon organizimin e një finaleje tjetër

  • 02 March 2020 - 14:49
Federata shqiptare heq dorë nga Superkupa e Evropës, e synon organizimin e një finaleje tjetër

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), ka hequr dorë nga kandidatura për ta fituar të drejtën e organizimit të finales së Superkupës së Evropës në stadiumin e ri modern “Air Albania” në Tiranë, për shkak se synon, siç ka njoftuar, diçka më të madhe; organizimin e finales së Ligës së Konferencës.

FSHF-ja njoftoi të hënën për vendimin për t’u përqendruar në organizimin e finales së garës më të re evropiane për klube, e cila nis nga viti 2021.

Liga e Konferencës është një garë e re vjetore e planifikuar të fillojë nga viti i ardhshëm.

“Federata e Futbollit, duke i dhënë përparësi organizimit të finales së një kompeticioni të ri evropian në Tiranë, që do të ketë një vëmendje të madhe kontinentale, ka vendosur të fokusohet në kandidaturën e saj për të sjellë në “Air Albania Stadium” finalen e Ligës së Konferencës (Conference League) për vitin 2022. Duke i dhënë prioritet absolut këtij evenimenti sportiv dhe për të garantuar më shumë mundësi akordimi, FSHF ka tërhequr kandidaturën si vend kandidat për të organizuar Superkupën Europiane”, ka njoftuar FSHF-ja.

Vendimi lidhur me finalen e Ligës së Konferencës të vitit 2022, do të jepet në muajin dhjetor të këtij viti nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s. 

(Kosova Sot Online)