Krerët e FFK-së, në Amsterdam për Kongresin e UEFA-s dhe shortin e Ligës së Kombeve

  • 03 March 2020 - 09:40
Krerët e FFK-së, në Amsterdam për Kongresin e UEFA-s dhe shortin e Ligës së Kombeve

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, nënkryetari Bakir Burri dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu, po qëndrojnë në Amsterdam për të marrë pjesë në punimet e Kongresit të 44-t të UEFA-s, si dhe për shortin e Ligës së Kombeve.

Të hënën në mbrëmje, krerët e FFK-së u takuan me presidentin e UEFA-s, Aleksander Ceferinin, ndërsa sot atyre do t’iu bashkohen edhe trajneri Bernard Challandes, ndihmëstrajneri Muharrem Sahiti dhe menaxheri Bajram Shala për shortin e Ligës së Kombeve.

Sot në orën 18:00, do të hidhet shorti për edicionin 2020/21 të Ligës së Kombeve në Amsterdam, ku Kosova dhe Shqipëria do ta mësojnë fatin për grupet e veta në Ligën C. Dy kombëtareve shqiptare mund edhe t’iu bie shorti të përballen mes vete.

Pasi e fitoi Grupin 3 të Ligës D edicionin e kaluar, Kosova është ngritur në një ligë më lart, në atë C. Ndërsa, Shqipëria për pak sa s’ra në Ligën D për këtë edicion të ri.

Aktualisht, edhe Kuqezinjtë e edhe Dardanët janë në Ligën C dhe pasi që radhitet në dy vazo të ndryshme – Shqipëria në vazon e parë dhe Kosova në vazon e dytë – shorti mund të bëjë që atë të duhet të luftojnë kundër njëra-tjetrës gjatë edicionit 2020/21.

Liga C

Vazo 1: Greqi, Shqipëria, Mali i Zi, Gjeorgjia

Vazo 2: Maqedonia e Veriut, Kosova, Bjellorusia, Qipro

Vazo 3: Estonia, Sllovenia, Lituania, Luksemburgu

Vazo 4: Armenia, Azerbajxhani, Kazakistani, Moldavia

Në këtë short do të marrin pjesë edhe ekipet e tjera kombëtare në tri ligat e tjera.

Liga A

Vazo 1: Portugalia, Holanda, Anglia, Zvicra

Vazo 2: Belgjika, Franca, Spanja, Italia

Vazo 3: Bosnja dhe Hercegovina, Ukraina, Danimarka, Suedia

Vazo 4: Kroacia, Polonia, Gjermania, Islanda

Liga B

Vazo 1: Rusia, Austria, Uellsi, Republika Çeke

Vazo 2: Skocia, Norvegjia, Serbia, Finlanda

Vazo 3: Sllovakia, Turqia, Republika e Irlandës, Irlanda Veriore

Vazo 4: Bullgaria, Izraeli, Hungaria, Rumania

Liga D

Vazo 1: Gjibraltari, Ishujt Faroe, Letonia, Lihtejnshajni

Vazo 2: Andorra, Malta, San Marino

Kur janë ndeshjet?

Xhiroja 1: 3-5 shtator 2020

Xhiroja 2: 6-8 shtator 2020

Xhiroja 3: 8-10 tetor 2020

Xhiroja 4: 11-13 tetor 2020

Xhiroja 5: 12-14 nëntor 2020

Xhiroja 6: 15-17 nëntor 2020

Finalet: 2, 3, 6 qershor 2021

UEFA i ka bërë disa ndryshime nga edicioni i fundit i Ligës së Kombeve. Tani do të jenë nga katër skuadra në top tri nivelet (Ligën A, Ligën B dhe Ligën C), përderisa herën e kaluar shumica e grupeve ishin me nga tri skuadra, transmeton Gazeta Express.

Për më tepër, ky edicion i Ligës së Kombeve nuk garanton tani vende për Kupën e Botës 2022, përderisa edicioni i kaluar ua mundëson katër skuadrave të kualifikohen për EURO 2020, në mesin e të cilave synon të jetë edhe Kosova.

Megjithatë, dy ekipe do të kenë mundësi të kualifikohen për Kupën e Botës në Katar përmes kësaj rruge, pasi që dy nga 12 vendet në play-offs për Botëror (për tri vende të lira) do të jenë në dispozicion për ekipet përmes Ligës së Kombeve, në krahasim me 16 ekipet që marrin pjesë në play-offs për Evropian.

Ndeshjet e këtij edicioni do të zhvillohet nga shtatori deri në nëntor të vitit 2020, ndërsa finalet do të mbahen verën e ardhshme.

(Kosova Sot Online )