Vazhdon kriza në Milan, pritet shkarkimi i Boban

  • 03 March 2020 - 10:44
Vazhdon kriza në Milan, pritet shkarkimi i Boban

Drejtori sportiv i Milanit, Zvonimir Boban, raportohet se do të shkarkohet nga posti i tij së shpejti, pasi që drejtori ekzekutiv i klubit, Ivan Gazidis, ka marrë vendim përfundimtar për stafin në San Siro.

Kroati Zvonimir Boban u kthye në Milanello verën e kaluar, megjithatë marrëdhënia e tij e keqe me Ivan Gazidisin e arriti pikën më të ulët pas intervistës së kroatit për Gazzetta dello Sport.

Boban e bëri të qartë se ai nuk ishte aspak i kënaqur që hierarkia e Milanit e kishte kontaktuar Ralf Rangnickun për postin e trajnerit prapa shpinës së tij dhe të Paolo Maldinit – dy drejtorët sportivë të klubit kuqezi.

Gazeta italiane tani shton se Milani i ka udhëzuar avokatët të fillojnë të merren me shkarkimin e kroatit, i cili mund të kthehet në postin e tij paraprak në FIFA, pasi t’i marrë paratë e dëmshpërblimit për shkarkim.

Edhe pse ende nuk është konfirmuar asgjë, lamtumira e Boban sugjeron se edhe e ardhja e Paolo Maldinit si drejtor në klubin ku njihet si legjendë nuk është aspak e sigurt.

Ish-mbrojtësi legjendar i Milanit mund të vendosë të japë dorëheqje vetë, pasi që mediumet italiane sugjerojnë se pronarët dhe Gazidis nuk janë të gatshëm ta shkarkojnë edhe atë nga posti i tij.

Megjithatë, bashkëpunëtorët e tij të ardhshëm pritet të jenë persona të lidhur ngushtë me Gazidisin dhe shumë mediume në Itali po e parashikojnë një revolucion të Rangnickut në San Siro, që do të thotë se edhe trajneri Stefano Pioli është nën presion. 

(Kosova Sot Online)