Gazeta angleze: Pse Man Unitedi duhet ta blejë Muriqin

  • 03 March 2020 - 15:17
Gazeta angleze: Pse Man Unitedi duhet ta blejë Muriqin

Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi iu kthye formës së mirë duke shënuar gol në ndeshjen e fundit të Fenerbahces. Kjo ka bërë që mediumi anglez, Media Referee, ta publikojë një artikull ku i ka grumbulluar arsyet pse Manchester Unitedit duhet ta blejë Muriqin.

25-vjeçari Vedat Muriqi ka qenë mbresëlënës që nga transferimi i tij në Fenerbahce në korrik të vitit të kaluar. Ai tashmë i ka regjistruar 14 gola dhe pesë asiste në të gjitha garat e këtij sezoni, pasi u transferua nga Caykur Rizespori gjatë verës së kaluar.

Pasi që Manchester Unitedi ka mbetur me mungesa në repartin e sulmit – Marcus Rashford dhe Anthony Martial janë për momentin të lënduar, ndërsa Odion Ighalo është i huazuar vetëm deri në fund të sezonit – klubi anglez është i vetëdijshëm se gjatë verës duhet të kërkojë lojtarë për ta përforcuar repartin e sulmit.

“Për ta thënë thjesht, trajneri Ole Gunnar Solskjaer duhet të tentojë ta transferojë Vedat Muriqin. Muriqi e shijoi një sezon mbresëlënës 2018/19 me Rizesporin dhe i shënoi 17 gola e i bëri 8 asiste në 34 ndeshje të ligës”, shkruan Media Referee, në artikullin e titulluar “Pse Manchester Unitedi duhet të bëjë ofertë për Vedat Muriqin”.

“Aftësitë e tij për të shënuar gola me Rizesporin ia fituan atij një transferim në Fenerbahce, ku ai tashmë e ka dëshmuar veten këtë sezon”.

“Qendërsulmuesi i ka shënuar 37 gola në Superligë gjatë dy sezoneve të fundit për Rizesportin dhe Fenerbahcen, në 70 paraqitje. Për më tepër, 25-vjeçari ka luajtur në 23 ndeshje të ekipit kombëtar të Kosovës, për të cilët i ka shënuar tetë gola”.

“Muriqi e ka dëshmuar veten në Turqi dhe është në moshën e duhur për ta testuar veten në Premierligë. Ai do t’ia jepte Solskjaerit një tjetër opsion në repartin e sulmit, përkrah Rashfordit, Martialit dhe Greenwoodin për sezonin e ardhshëm”.

“Nëse gjykojmë thjesht nga rekordi i tij si golashënues në Superligën turke, Manchester Unitedi duhet të bëjë gjithçka të mundur për ta transferuar kosovarin”. 

(Kosova Sot Online)