Arteta: Kam besim te të rinjtë e Arsenalit, ia vlen të rrezikoj

  • 03 March 2020 - 15:40
Arteta: Kam besim te të rinjtë e Arsenalit, ia vlen të rrezikoj

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, thotë se ai ka besim te të rinjtë e klubit londinez, pasi që ata të rinj arritën t’ia sigurojnë Arsenalit kualifikimin në çerekfinalen e FA Cup përmes fitores me rezultat 2:0 kundër Portsmouth.

Eddie Nketiah dhe Sokratis i shënuan dy golat në fitoren e Arsenalit kundër Portsmouth, ndërsa titullarë ishin Bukayo Saka, Reiss Nelson, Joe Willock, Gabriel Martinelli dhe Matteo Guendouz e i transferuari në janar, Pablo Mari, luajti 90 minuta.

Arteta ishte i kënaqur me paraqitjen e tyre në atë që mund të kishte qenë një natë e vështirë. Portsmouth është duke luftuar për promovim në Championship nga Liga e Parë dhe s’kishte pësuar humbje në 19 ndeshje të zhvilluara në shtëpi.

“Është një vendim i vështirë, por unë kam besim te këta fëmijë”, tha Arteta në një intervistë të dhënë për BT Sport.

“Ata gjithmonë përgjigjen dhe unë e dija që ata do të kishin sukses. Ata duhet të mësojnë nga momentet e vështira dhe si t’i menaxhojnë ato. Por, e kanë talentin dhe dëshirën e nevojshme – shikojeni se sa shumë punuan”.

“Është me të vërtetë shumë e rëndësishme që nuk pranuam gol dhe u mbrojtëm shumë mirë. Ne kemi shpejtësi në repartin e sulmit. Jam duke e shijuar punën me këtë grup të lojtarëve. Është një proces”.

“Unë e di se njerëzit mendojnë se gjithçka duhet të jetë sot ose dje, por gjërat nuk ndodhin kështu në futboll. Jam duke parë shumë gjëra dhe jam i lumtur, por ka ende hapësirë për përmirësime”. 

(Kosova Sot Online)