Spanja ua mbyll dyert e stadiumeve klubeve italiane

  • 04 March 2020 - 12:54
Spanja ua mbyll dyert e stadiumeve klubeve italiane

Qeveria spanjolle raportohet se ka vendosur që ndeshjet e garave evropiane kundër klubeve italiane që do të zhvillohen në Spanjë të luhen pa praninë e tifozëve, në mënyrë që të mos ketë përhapje më të madhe të koronavirusit.

Liga Italiane e Futbollit është prekur nga përhapja e shpejtë e koronavirusit në pjesët veriore të Italisë dhe ndeshje të shumta janë shtyrë e disa janë vendosur të luhen pa tifozë.

Në Spanjë, tani autoritetet përgjegjëse janë të shqetësuara për tifozët italianë që mund të udhëtojnë në Gadishullin Iberik. Për këtë arsye, mediumet spanjolle raportojnë se tashmë është vendosur që ato ndeshje të zhvillohen pa praninë e tifozëve në stadiume.

Marca shkruan se UEFA ka pranuar t’i ndjekë rekomandimet e Ministrit të Shëndetësinë në qeverinë spanjolle, rrjedhimisht ndeshjet Valencia – Atalanta dhe Getafe – Inter pritet të zhvillohen prapa dyerve të mbyllura.

Ndërsa, në Ligën e Kampionëve, Barcelona gjithashtu po përgatitet për ta pritur Napolin në Camp Nou, ndërsa Roma do të udhëtojë në Sevilla për ndeshjen e Ligës së Evropës.

Mundo Deportivo pretendon se dy ndeshjet e lartpërmendura janë në pritje për një vendim, ndërsa Sport shkruan se përballja mes Barcelonës dhe Napolit nuk është në rrezik nga koronavirusi.

Megjithatë, në fund mund të vendoset që të gjitha këto ndeshje të zhvillohen pa praninë e tifozëve, në mënyrë që të mos ketë rrezik shtesë nga virusi Covid-19. 

(Kosova Sot Online)