Solskjaer: Unitedi duhet të ketë kujdes nga Rooney

  • 04 March 2020 - 14:20
Solskjaer: Unitedi duhet të ketë kujdes nga Rooney

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, ka paralajmëruar se Wayne Rooney do të dëshirojë ta dëshmojë se “ka ende jetë në qenin e vjetër” (thënie angleze që përdoret për të thënë se dikush ka aftësi për diçka, përkundër moshës më të vjetër) gjatë përballjes së Djajve të Kuq me Derby Countyn të enjten në rundin e pestë të FA Cup.

34-vjeçari e la Manchester Unitedin për Evertonin gjatë verës së vitit 2017, pas një karriere mbresëlënëse 13-vjeçare, gjatë së cilës u bë golashënuesi më i mirë në histori të klubit me 253 golat e tij, si dhe i fitoi 12 trofe të mëdha. Ai iu bashkua Derbyt si lojtar-trajner në janar, pas një periudhe në ligën amerikane me DE Unitedin.

Solskjaer kishte luajtur në të kaluarën me Rooneyn në Old Trafford dhe në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Derbyt, ai u pyet për rrezikun që anglezi përbën për skuadrën e Unitedit.

“Ai është i rrezikshëm edhe brenda e edhe jashtë zonës së 16-metërshit, nga ndërprerjet si gjuajtjet e lira dhe kornerët. Në këtë ndeshje, Rooney do të na i dëshmojë çfarë mund të bëjë ai ende”, tha Solskjaer.

“Ai do të dëshirojë ta dëshmojë se ka ende jetë në qenin e vjetër. Ne duhet të jemi në maje të gishtave dhe nuk duhet t’i japim atij hapësirë as në repartin e mesfushës. Ai e ka aftësinë për pasime të ngjashme me Solskjaerin”.

“Ai ishte një lojtar fantastik për Manchester Unitedi dhe ishte këtu për një kohë të gjatë. Ai është golashënuesi më i mirë në histori të klubit, ka fituar shumë trofe. Nuk mendoj se tifozët e nënvlerësojnë atë – të gjithë e vlerësojnë Rooneyn për atë që e ka bërë për neve”.

“Ai është ende i mirëpritur këtu, ende vjen në Old Trafford dhe gjithmonë do të pritet mirë nga tifozët tonë”.

Norvegjezi gjithashtu bëri shaka kur u pyet se çfarë mund të ndodhë nëse Rooney i shënon gol Unitedit.

“Wazza ka dhënë me të vërtetë gjithçka për këtë klub, por për çdo gol që e shënon kundër nesh, do t’i hiqet një gol nga shifra totale e golave të shënuara për ne”, tha Solskjaer, duke qeshur.

Rooney, i cili do të luajë kundër Manchester Unitedit për herë të tretë në karrierën e tij, është lojtari i preferuar i djalit të Solskjaerit.

“Ai është lojtari i preferuar i Noah. Jo vetëm për atë që e ka bërë si futbollist, por edhe si person gjatë kohës kur rrinim bashkë ndonjëherë”, përfundoi Solskjaer. 

(Kosova Sot Online)