Flet Ismet Munishi pas fitores së madhe të Ballkanit

  • 04 March 2020 - 15:44
Flet Ismet Munishi pas fitores së madhe të Ballkanit

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, ishte shumë i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve të tij gjatë fitores me rezultat 2:0 në ndeshjen kundër Dritës, ndërsa i lavdëroi edhe gjyqtarët për referimin e ndeshjes.

Ballkani i Ismet Munishit arriti ta marrë një fitore të madhe me rezultat 2:0 në ndeshjen e zhvilluar kundër Dritës, rivales në garën për titullin e kampionit të këtij sezoni të Ipko Superligës së Kosovës.

Këtë fitore klubit nga Suhareka ia dha fillimisht golashënuesi më i mirë për këtë sezon, Blend Baftiu, i cili shënoi në minutën e 78-të, pasi iu kishte mohuar goli dy herë nga shtyllat e portës më parë gjatë ndeshjes (në minutën e 12-të dhe të 65-të).

Më vonë, pasi Ballkanit iu anulua në mënyrë kontroverse një gol për pozitë jashtë loje, klubi vendas e dyfishoi epërsinë përmes një supergoli të shënuar nga Edvin Kuç në minutën e 80-të.

“Sa i përket ndeshjes, ishte një ndeshje shumë e mirë. Referimi ishte fantastik, ne e kishim posedimin e topit e patëm edhe raste të mira”, tha Munishi, në intervistën e dhënë për Supersport pas ndeshjes.

“Sot jam jashtëzakonisht i kënaqur me lojtarët e mi, nuk mund t’i ndajë. Kjo është skuadra që e kemi. Nuk guxojmë të ankohemi për mungesa. Unë nuk jam trajner që ankohem, por mundohem që mungesat t’i zëvendësojmë në mënyrë adekuate”.

Këto tri pikë janë të rëndësishme për ëndrrën e Ballkanit për t’u shpallur kampion në fund të sezonit pasi që kalojnë për katër pika para Dritës.

Për më tepër, Drita do të përballet me Prishtinën këtë fundjavë dhe Ismet Munishi e djemtë e tij do të tentojnë t’i shfrytëzojnë pikët që do t’i humbë të paktën njëri nga këta dy rivalë për titull me fitore kundër Flamurtarit.

(Kosova Sot Online)